Ka përfunduar edhe thirrja e tretë për furnizimin me autobusë të rinj, por pasiguria mbetet. Dy ditë pas skadimit të afatit për dorëzimin e ofertave, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve bëri të ditur për Telma se tani do të vijojë vlerësimi i ofertave, pa dhënë detaje se sa kompani kanë aplikuar dhe nëse bëhet fjalë për kompani evropiane, edhe pse hapja e ofertave është procedurë publike, transmeton Portalb.mk.
Thirrja e mëparshme, në të cilën si ofertuesi më i favorshëm u përzgjodhën kompania hungareze Elektrobus Ikarus dhe kompania austriake EVN, u anulua pasi njëra nga katër kompanitë pjesëmarrëse paraqiti ankesë në Komisionin përkatës.
Ndërkohë, thirrja e publikuar në qershor të vitit të kaluar dështoi me arsyetimin se i vetmi ofertues i paraqitur nuk i plotësonte kushtet.
Plani është të sigurohen 150 autobusë të rinj elektrikë, prej të cilëve 100 për Shkupin dhe pjesa tjetër për komunat e tjera. Autobusët do të jenë me ngjyrë të kuqe ose të bardhë, ndërsa projekti përfshin edhe furnizimin me karikues për ta. Vlera e parashikuar e investimit është rreth 50 milionë euro.
Ndërkohë që pritet mbërritja e autobusëve të rinj, qytetarët vazhdojnë të ankohen për transportin publik. Në tabelat elektronike të vendosura në stacionet e autobusëve shfaqet koha e mbërritjes së linjave, por shpesh autobusët vonohen ose nuk mbërrijnë fare.
Po ashtu, nuk janë të rralla rastet kur autobusët mbesin të bllokuar nëpër bulevarde për shkak të defekteve, ndërsa herë pas here raportohen edhe raste të autobusëve që përfshihen nga zjarri.
Çështja e autobusëve të rinj është zvarritur prej kohësh. Gjatë mandatit të ish-kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, mediat raportuan se pika për furnizimin me autobusë të rinj ishte paraqitur disa herë para këshilltarëve, por nuk mori mbështetjen e nevojshme për t’u futur në rendin e ditës.