RMV, një pensionist ngacmoi seksualisht një grua në sy të vajzës së saj të mitur

Në Prilep, një burrë 71-vjeçar është privuar nga liria nën dyshimin se ka ngacmuar seksualisht një grua 40-vjeçare në shtëpinë e saj, ndërsa në hapësirë ndodhej edhe vajza e saj e mitur, transmeton Portalb.mk.

Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, rasti është raportuar më 7 korrik, pas së cilës zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masa për zbardhjen e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin nga Prilepi. Nga kallëzimi rezulton se burri, ndërsa gruaja ndodhej në shtëpinë e saj së bashku me fëmijën, dyshohet se e ka ngacmuar dhe ka tentuar ta prekë në mënyrë të papërshtatshme në trup.

Policia po vazhdon të ndërmarrë veprime shtesë për dokumentimin e plotë të rastit. Pasi të sigurohen të gjitha provat dhe informacionet e nevojshme, ndaj të dyshuarit do të paraqitet kallëzimi përkatës pranë organeve kompetente.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme theksojnë se raste të tilla trajtohen me vëmendje të veçantë, ndërsa institucionet vazhdojnë procedurat për përcaktimin e të gjitha rrethanave që lidhen me ngjarjen e raportuar.

Ngacmim seksualPrilepi