Nëntë barna, duke përfshirë presionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës, depresionin dhe demencën, bëhen pjesë e listës pozitive. Siç informon sot ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, bëhet fjalë për nëntë gjenerikë të përfaqësuar nga 87 barna, transmeton Portalb.mk.
“Bëhet fjalë për 87 barna në forma, forca dhe paketa të ndryshme që kanë regjistrim aktiv në vendin tonë, nëntë gjenerikë të përfaqësuar nga 87 barna. Këtu përfshihen barnat për tensionin e lartë, sëmundjet e zemrës, antiagregantët, ilaçet për trajtimin e depresionit, si dhe për demencën”, theksoi Taravari.
Ministri theksoi se në këtë proces janë angazhuar ekspertë të cilët kanë punuar për disa ndryshime ligjore, hartimin e një rregulloreje të re me praktika evropiane dhe një metodologji të re për vendosjen e barnave në listën pozitive.
“Ky është vetëm fillimi i procesit të zgjerimit të listës pozitive”, thekson Taravari.
Njëkohësisht, ai u bëri thirrje të gjitha kompanive farmaceutike që të vazhdojnë me aplikimet e tyre për vendosjen e barnave të reja në listën pozitive.
Ndryshe, më 16 gusht, Taravari paralajmëroi se pas 6 muajsh do të rishikohen sërish mundësitë për një zgjerim të ri të listës pozitive për t’ua lehtësuar pacientëve.
“Pas 6 muajsh planifikojmë ta zgjerojmë listën plus me disa barna të tjera, megjithatë do të duhet të ulemi me drejtorin e Fondit, të shohim se cilat janë mundësitë që disa barna të tjera të jenë në listën pozitive dhe t’ua lehtësojmë kryesorëve në resorin tonë, dhe ata janë pacientët, ndërsa ne jemi të gjithë pacientë potencialë”, tha Taravari.