Ministria për Arsim dhe Shkencë ka hapur Konkursin ku planifikohet që komunat të përfitojnë subvencione për investime kapitale në infrastrukturën e sferës së arsimit dhe shkencës, transmeton Portalb.mk.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të bëjë shpërndarjen nga këto dotacione kapitale për projekte infrastrukturore në komunat për vitin 2024 në pajtim me Ligjin për Financimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dhe Ligjin për Realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2024”, sqaroi Ministria.
Në Konkurs theksohen kriteret dhe procedurat për shpërndarjen e dotacionit kapital në komuna, mjete të dedikuara për projekte infrastrukturore në fushën e arsimit dhe shkencës. Përmes dotacioneve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, komunat sigurojnë mjete shtesë në buxhet për investime të ndryshme.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, do të formojë trup koordinues ndërsektorial për ndjekjen dhe koordinimin e aktiviteteve për realizimin e Programit AA – Projektet infrastrukturore të komunave”, raportoi Ministria.
Komisioni i formuar do të kryejë edhe përzgjedhjen e projekteve dhe do t’i propozojë deri tek ministrja.
“Gjatë konstatimit të parregullsive në përdorimin e dotacionit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës mund të ndërpresë pagesën e mjeteve dhe për këtë do të njoftojë Ministrinë e Financave”, paralajmëroi Ministria