Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot në orët e pasdites e vazhdoi seancën e 143-të e cila filloi të premten, ku dhe u shkarkuan ministrat e Shëndetësisë dhe Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu, nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Sot, në vend të tyre, për pozitën e ministrit të Shëndetësisë është zgjedhur drejtori aktual i Spitalit Klinik në Tetovë, Ilir Demiri, ndërsa për Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Naim Bajrami, transmeton Portalb.mk.
Në këtë seancë, Demirit dhe Bajrami me 63 vota “për”, asnjë kundër dhe të përmbajtur, morën miratimin e Kuvendit për të marrë pozitën e ministrit.
Pas votimit në Kuvend me të cilin Mexhiti dhe Aliu u shkarkuan nga postet e tyre, që ndodhi, rreth mesnatës së të premtes, sot u zgjodhën ministrat e rinj në këto dy ministri.
Mexhiti dhe Aliu janë shkarkuar me propozim të kryeministrit teknik Talat Xhaferi i cili nga foltorja e kuvendit duke e sqaruar propozimin për shkarkimin tha se sipas ligjit, nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të Qeverisë dhe se ky është shkaku kryesor pse është propozuar shkarkimi i dy ministrave.
“Aspak nuk bëhet fjalë për profesionalizimin e tyre për të cilin kam respekt të jashtëzakonshëm”, tha Xhaferi.
Ndryshimi i ministrave nga Aleanca për Shqiptarët ndodhi pasi kreu i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim.