Katër ministri të reja, ose gjithsej 20, në qeverinë e re të Hristian Mickoskit janë rezultat i ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore, të cilat u miratuan në kuadër të zgjedhjeve të këtij viti. Riorganizimi i pushtetit ekzekutiv u bë në një proces të nxituar dhe pa konsultim publik, gjë që tek ekspertët dhe opinioni la përshtypjen se ishte një reformë e pamenduar, për të cilën nuk u bë asnjë analizë e qëndrueshme për atë se cilat janë përfitimet e saj dhe a ka nevojë për rritjen e numrit të administratës shtetërore, si dhe sa do të rëndojë ky riorganizim buxhetin e shtetit, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Me ndryshimin e ligjit, të propozuar nga deputeti i atëhershëm Hristijan Mickoski, u themeluan Ministria e Sportit, Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Ministria e Transformimit Digjital dhe Ministria e Administratës, si dhe u riorganizuan disa nga ministritë, siç është rasti me ministritë e Ekonomisë dhe Punës, të Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.
Profesori i së drejtës administrative dhe administratës publike në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup, Dragan Gocevski, konsideron se, edhe pse procedura për ndryshimin e Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore është e ligjshme, ajo jo vetëm që kaloi me shpejtësi, por edhe u karakterizua me arrogancë dhe keqpërdorim të komoditetit të skajshëm që e ofron mazhoranca prej dy të tretash në Parlament. Gocevski thotë se nuk është hera e parë që të përdoret një rrugë e tillë e shkurtër për ndryshimin e ligjeve, kurse hera e fundit që është përdorur nga qeveria e kaluar për të njëjtin ligj ishte kur u themelua Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, me propozimin e shtatë deputetëve.
“Nëse propozuesi i autorizuar i ndryshimeve dhe plotësimeve të një ligji është Qeveria ose qytetarët, atëherë procedura parasheh konsultime publike dhe reagime të pritura nga publiku për propozimin që duhet të dorëzohet në Kuvend. Por, nëse propozuesi është deputet, e mjafton të jetë vetëm një, atëherë Kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë seancë në komisionin amë dhe më pas propozimin ta vendosë për votim para deputetëve. Ligji parasheh që të kërkohet mendim nga Qeveria, por kjo as që duhet të pritet, e as që duhet të pranohet”, thotë Gocevski.
Dallimi në dy rastet e ndryshimit të këtij ligji është se në ndryshimin e fundit para zgjedhjeve kishte qeveri teknike, me kompetenca të reduktuara, gjithçka ndodhi shumë shpejt, ndërsa ligji u shqyrtua për disa orë dhe u miratua në mes të natës.
“Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore janë miratuar pa konsultim me palët e interesuara, pa e marrë mendimin e publikut ekspert, pa një analizë të thellë paraprake të arsyeshmërisë gjatë krijimit të tre apo pesë ministrive të reja, dhe për këtë arsye mund të ketë pasoja të rënda në funksionimin e administratës shtetërore”, thotë Dançe Danillovska Bajdevska, Drejtoreshë e programeve në Fondacionin Metamorfozis.
Ajo konsideron se asnjë politikë, e veçanërisht jo një ligj që është sistemor dhe rregullon çështje të rëndësishme për punën e organeve të administratës shtetërore, nuk duhet të ndryshohet në një proces të mbyllur jokonsultativ dhe thekson se riorganizimi i administratës shtetërore si një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm duhet të bazohet në parimet e transparencës, përfshirjes dhe përgatitjes paraprake të qytetarëve për ndryshimet sistemore që iniciohen.
“Një nga pasojat e mundshme të një riorganizimi të tillë është ulja e besimit edhe ashtu të ulët në institucione, sepse në mungesë të transparencës – pa konsultime publike, qytetarët dhe palët e interesuara mund të kenë ndjesinë se nuk janë marrë parasysh interesat dhe nevojat e tyre. Reformat e zbatuara keq dhe miratimi i shpejtë i ligjeve pa analizë të hollësishme mund të rezultojë në reforma të zbatuara që nuk janë të menduara mirë ose nuk janë të përshtatshme për nevojat konkrete të qytetarëve dhe të vetë administratës”, thotë Danillovska Bajdevska.
Ajo konsideron se në këtë mënyrë krijohet pasiguri juridike, por edhe pakënaqësi te punonjësit në administratë, gjë që mund të ndikojë në motivimin dhe efikasitetin e tyre në punë. Danillovska Bajdevska thotë se nëse bazohemi në Strategjinë aktuale për Reformë të Administratës Publike (2023-2030) nuk ka pasur nevojë për një riorganizim të tillë të administratës shtetërore, por nëse hartuesit e politikave publike kanë konsideruar se ka nevojë, është e nevojshme që ajo të bazohet në një proces të detajuar dhe të analizuar hollësisht, të bazuar në analizat dhe vlerësimet e mëparshme të funksionimit të administratës shtetërore. Dobësitë në sistemin aktual duhet të ishin diskutuar me shoqërinë civile dhe publikun profesional për të siguruar shpjegime se pse disa propozime janë ose nuk janë të pranueshme.
“Fatkeqësisht, mbeti përshtypja se qëllimi i këtyre risive ishte i bazuar vetëm se në faktin se ato ishin premtim parazgjedhor. Këtë ndjenjë e mbështet edhe më shumë fakti se ndryshimet, gjegjësisht riorganizimi i administratës shtetërore, janë bërë urgjentisht, pa konsultime dhe pas një procedure të shkurtuar në Kuvend, me arsyetimin se nuk bëhet fjalë për një ligj voluminoz dhe kompleks, i cili, që është absolutisht e pasaktë. Ndryshimet e bazuara në premtimet parazgjedhore shpesh mund të duken tërheqëse për publikun, por nëse palët e interesuara nuk konsultohen, ato mund të rezultojnë në masa populiste që nuk sjellin përmirësim real në funksionimin e administratës. Kjo sugjeron se qëllimi kryesor është përmbushja e agjendave politike, në vend që të sigurohet që ndryshimet janë realisht të nevojshme dhe të qëndrueshme në afat të gjatë”, thotë Danillovska Bajdevska.
Nuk ka përgjigje se sa para do të ndahen në vit për administratën e re ekzekutive
Nga Qeveria vlerësojnë se ndryshimet në Ligjin për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore me riorganizimin e një numri të caktuar ministrish dhe me krijimin e katër ministrive të reja janë një nga shtyllat kryesore të programit zgjedhor të Platformës 1198, të cilat duhet të sigurojnë një sistem funksional për qytetarët, të aftë për t’iu përgjigjur nevojave për një qasje moderne dhe precize në menaxhimin e burimeve, cilësinë e jetës dhe zhvillimin dinamik ekonomik.
“Kjo reformë u promovua për publikun më 24 mars, në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Në atë periudhë faktikisht zhvillohej edhe debati publik në media, me ç’rast nuk kishte vërejtje të rëndësishme, por përkundrazi dëgjoheshin edhe deklarata pozitive”, thonë nga qeveria.
Nga aty theksojnë se ndryshimet në ligj e kaluan procedurën e nevojshme parlamentare dhe morën mbështetje në parlament, shumë më tepër se shumica e kërkuar.
“Kjo reformë, duke përfshirë edhe reformat nga Platforma 1198 për sa i përket heqjes së posteve të zëvendësdrejtorëve dhe heqjes së balancuesit, është pjesë e shtyllave kyçe të programit zgjedhor që fitoi një numër të madh votash, fitoi zgjedhjet, fitoi mbështetjen e publikut. E gjithë kjo tregon se nuk bëhet fjalë për një reformë në një proces të nxituar dhe pa konsultim publik, por për një reformë që u kuptua dhe u pranua nga publiku brenda një periudhe mjaf të gjatë kohore” – thuhet në qëndrimin e qeverisë.
Mirëpo, nga aty nuk informojnë nëse ka një analizë se sa mjete do të ndahen në vit nga tatimpaguesit për financimin e punës së administratës së re ekzekutive.
Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve të Meta.mk-së se sa të punësuar të rinj do të ketë në katër ministritë dhe sa do të merren nga ato ekzistuese. Ministritë, ndonëse tashmë duhet të funksionojnë zyrtarisht dhe prej disa muajsh janë pjesë e qeverisë aktuale, nuk kanë as mjete elementare për komunikim me publikun, si p.sh. ueb-faqe funksionale, telefona apo e-maile për kontakt.
Nga Qeveria nuk kishte përgjigje as në lidhje me atë se a kanë institucionet e reja hapësira ku do të vendosen, nëse do të paguhet qira për to dhe nëse ka projeksione se sa do të jenë shpenzimet aktuale mujore për funksionimin e tyre.
Që nga formimi i Qeverisë e deri më sot, akomodim është propozuar vetëm për Ministrinë e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, e cila do të punojë në një nga objektet e “Shkupit 2014”, që ndodhet përballë Muzeut të Shkupit, i cili fillimisht ishte paraparë për ELEM-in, por për shkak të një sërë aspektesh jofunksionale dhe mosqasjes në garazhet nëntokësore dhe në parking, prej vitesh qëndronte e papërdorshme dhe e pabanuar.
Profesor Gocevski thotë se nevoja për riorganizim të administratës publike është konstatuar që nga viti 2017 përmes një projekti të financuar nga Komisioni Evropian, por konkluzionet ishin se ka nevojë për zvogëlim të numrit të institucioneve, e jo për rritjen e tyre. Kjo nënkuptonte edhe kryerjen e një analize funksionale për atë se sa është ngarkesa e punonjësve nëpër institucione, në mënyrë që të nxirren konkluzione se a kemi mbipunësim apo nënpunësim, për çfarë kuadrosh ka nevojë dhe në cilin institucion. Reforma duhej të nënkuptojë që ministritë të jenë vetëm hartuese të politikave, kurse agjencitë zbatuese të politikave dhe ofruese të shërbimeve, ndërsa inspektoratet ta kenë kontrollin e ligjshmërisë së funksionimit.
“Për një vend me 1,8 milionë banorë, 20 ministri nuk justifikohen. Nuk ka asgjë problematike që të ketë ministri me shumë departamente që do të kenë agjenci që do t’i mbulojnë ato departamente. Nuk ka nevojë të krahasohemi me vendet e tjera, sepse çdo vend është i ndryshëm, por nëse shikojmë historinë tonë nga viti 1944 e këtej, në shumicën e kohës vendi ka funksionuar me 14 deri në 15 ministri, edhe atëherë kur Maqedonia ishte anëtare e federatës. Tani shtrohet pyetja pse na duhen 20 ministri dhe çfarë do të fitojmë prej tyre”, thotë Gocevski.
Kujtojmë se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut me 88 vota “për”, 22 “kundër” dhe “asnjë” abstenim rreth orës 02:30 të mëngjesit të 6 qershorit 2024, i miratoi ndryshimet e propozuara të Ligjit për Organizimin e Punës së Organeve të Administratës Shtetërore. Përveç votave të deputetëve të shumicës (VMRO, VLEN, ZNAM) votuan edhe deputetët e Frontit Evropian, të cilët përmes një njoftimi në orët e vona njoftuan se do përkrahin këtë ligj.
- LEXO: Me 88 vota, Kuvendi i RMV-së i votoi ndryshimet në ligjin për riorganizimin e Qeverisë, do të ketë ministri të reja
- LEXO: RMV, një “ushtri” e tërë administratorësh do të shpërngulet nga një ministri në tjetrën në pesë muajt e ardhshëm
- LEXO: Në Ministrinë e re të Energjetikës në RMV do të paraqiten rreziqe nga korrupsioni, IDSC: Përbërja e re t’u kushtojë vëmendje të veçantë