RMV-ja nënshkroi marrëveshje për bashkëpunim strategjik me Hungarinë 

Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, sot zhvilloi vizitë njëditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Vizita u përmbyll me nënshkrimin e një Marrëveshjeje për Bashkëpunim Strategjik midis qeverive të të dy vendeve, transmeton Portalb.mk.

“Në takim, të dy ministrat përmendën marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, duke shprehur kënaqësi të ndërsjellë për dialogun intensiv politik dhe bashkëpunimin e zhvilluar sektorial. U përshëndet edhe miqësia tredekadëshe dhe bashkëpunimi i shkëlqyer tregtar, i cili është rritur vazhdimisht në periudhën e kaluar. Në këtë kontekst, të dy ministrat konkluduan se partneriteti maqedono-hungarez bazohet në lidhje të forta politike dhe bashkëpunim të zhvilluar ekonomik, i cili do të fitojë një vrull edhe më të madh në periudhën e ardhshme”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Fokusi i bisedimeve, shtohet më tej në njoftim, ishte në perspektivat dhe sfidat e procesit të integrimit evropian të vendit tonë dhe mbështetja e forcuar dhe e qartë nga Hungaria në këtë rrugë, e cila synon hapjen e negociatave të vendit tonë me BE-në, me qëllim që të mundësohet stabilizimi dhe një perspektivë më e mirë për vendin tonë dhe vendet e rajonit.

“Në këtë drejtim, ministri Mucunski shprehu besimin se mbështetja do të vazhdojë me një ritëm të pandërprerë në periudhën e ardhshme, duke marrë parasysh Planin e Veprimit të nënshkruar së fundmi për Ndarjen e Njohurive në Lidhje me Anëtarësimin në BE midis Ministrive të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme dhe Ministrive të Punëve Evropiane të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Në takim u diskutua gjithashtu për aleancën dhe bashkëpunimin brenda NATO-s, i cili synon adresimin e sfidave aktuale të sigurisë dhe ruajtjen e stabilitetit evropian dhe transatlantik.

“Gjatë vizitës u nënshkruan gjithashtu marrëveshje bashkëpunimi në nivel qeveritar dhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e arsimit. Ministri Mucunski dhe Ministri Szijjártó nënshkruan Marrëveshje për Bashkëpunim Strategjik midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Hungarisë, ndërsa Ministri Szijjártó dhe Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë për bashkëpunim në kuadër të Programit Stipendium Hungaricum për vitet 2026-2028”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka marrë kredi prej Hungarisë. Më 15 maj, Banka e Zhvillimit pagoi këstin e tretë prej 41.3 milionë eurosh për bankat komerciale për të mbështetur 175 projekte të kompanive vendase, para nga kredia hungareze e destinuar për investime dhe zhvillim

HungariaMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)