RMV, është shtyrë seanca kuvendore për mbikëqyrjen e ASK-së 

Është shtyrë seanca e Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK) dhe Agjencisë së Zbulimit (AZ) që duhej të diskutonte pretendimet për përgjime të paligjshme në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2024, transmeton Portalb.mk.

Shërbimet parlamentare konfirmuan se seanca, e cila duhej të fillonte në orën 11:00, është shtyrë pasi njoftimi për të u tërhoq nga orari për seancat e sotme të trupave punues në faqen e internetit të Parlamentit.

Deri më tani, nuk ka informacion zyrtar se pse është shtyrë seanca dhe nëse dhe kur do të mbahet.

Të pyetur nga gazetarët, shërbimet parlamentare thanë se do të japin informacione shtesë.

Seanca e Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së ASK-së dhe AZ-së u caktua nga Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, dje, dhe duhej të kryesohej nga deputetja e LSDM-së Sllavjanka Petrovska, e cila është anëtare e këtij trupi punues.

Lidhur me akuzat për abuzime në Agjencinë e Kundërzbulimit dhe ASK, partia në pushtet VMRO-DPMNE ka reaguar ditëve të kaluara duke akuzuar kundërshtarin e saj politik LSDM për përgjimet që ndodhën gjatë kohës së tyre dhe me urdhër të tyre.

“Padyshim, gjatë asaj periudhe pati përpjekje për diskreditim politik, të cilin koha e tregoi se nuk pati sukses për LSDM-në”, tha VMRO-DPMNE.

Kujtojmë se në vitin 2016, kur Zoran Zaev shpaloste bombat, u zbulua se, përmes tri sistemeve për ndjekje të komunikimeve në DSK, në periudhën prej vitit 2008-2015 në mënyrë joligjore janë ndjekur 4.286 numra telefonik për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësor. Komunikimi është ndjekur para se të dorëzohen dhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së vlerës së urdhrit gjyqësor  me numër 1.541 ose gjithsej 5.827 numra telefonik. Janë përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.

Agjencia e Intelegjencës së Republikës së Maqedonisë së Veriut (AIRMV)Agjencia për Siguri Nacionale (Kombëtare)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutPërgjim - Spiunim Spiun(e)