RMV, edhe disa institucione kulturore do të marrin buxhet të deleguar për programet sepse sivjet 18 kanë punuar mirë, tha ministri Lutkov

Jam i kënaqur me atë se si kanë punuar institucionet kombëtare nga sfera e kulturës me buxhetin e deleguar, i cili për herë të parë u vendos sivjet dhe disa institucione sivjet do të marrin buxhet të deleguar, tha ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov në takimin me gazetarët, shkruan sdk.mk, njofton Portalb.mk.

Sivjet filloi pilot-projekti i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, sipas të cilit 18 institucione morën buxhet të deleguar, ndërsa ishte paralajmëruar se “me këto ndryshime do të krijohen kushte për planifikim më efikas dhe realizim të përmbajtjeve programore nga ana e drejtorëve, autonomi më të madhe, por edhe përgjegjësi më të madhe, ndërsa në këtë mënyrë do të theksohet edhe aftësia e tyre menaxheriale”. Institucionet kulturore kishin për obligim t’i publikojnë programet vjetor dhe se me çfarë buxheti disponojnë.

“I kam ndjekur proceset e të gjithë 18 institucioneve.. Ky ishte një pilot-projekt, që të shohim se si ato reagojnë ndaj kësaj, se çfarë përgjegjësi do të kenë. Më duhet të them se jam i kënaqur dhe në vitin 2026 do t’u ndajmë buxhet të deleguar edhe disa institucioneve, në bazë të analizës që e kemi bërë për punën e të gjithë 72 institucioneve kombëtare”, tha Lutkov.

Sipas ministrit, ajo që e shënoi vitin 2025 është niveli i lartë i realizimit të Programit vjetor – 97 përqind, që, thotë se paraqet hap të rëndësishëm pas një periudhe më të gjatë kohore.

Paralajmëroi se në vitin 2026 buxheti i Ministrisë do të jetë më i madh se sivjet për 8,5 përqind dhe se do të jetë 5 miliardë e 520 milionë e 504 mijë denarë, dhe plus 700 milionë denarë të dedikuara për turizëm të cilat i kanë marrë në llogari të veçantë.

Kulturë lajmeMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)Zoran Ljutkov