Mangësi në parkun e automjeteve, pronën, rezervat, shpenzimet dhe të ardhurat ka konstatuar revizioni në “Hekurudhat e Republikës së Maqedonisë së Veriut – Transport” për vitin 2024. Në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR) thuhet se nga 62 lokomotiva që disponon ndërmarrja, vetëm nëntë janë funksionale. Humbja për vitin 2024 arrin në 331,8 milionë denarë, ndërsa së bashku me humbjet e bartura nga vitet paraprake arrin në 6,75 miliardë denarë, përkatësisht mbi 109 milionë euro, transmeton Portalb.mk.
Sipas revizionit, nga 16 kompozime të trenave të udhëtarëve, vetëm pesë janë funksionale, ndërsa nga 47 vagonë të udhëtarëve, në komunikacion të rregullt përdoren vetëm dy. Sa i përket transportit të mallrave, nga 1.382 vagonë mallrash, plot 1.004 kanë afat të skaduar të revizionit dhe janë jashtë komunikacionit, ndërsa vetëm 378 janë të aftë për transport.
Në raport thuhet se kompania vazhdimisht regjistron humbje në punën e saj. Vetëm për vitin 2024 është realizuar humbje prej 331,8 milionë denarësh, me ç’rast humbja e përgjithshme e bartur nga vitet e kaluara ka arritur në 6.754.219.000 denarë.
Revizioni ka konstatuar edhe trajtim të papërshtatshëm, të pakujdesshëm dhe të pasigurt gjatë pranimit dhe shpërndarjes së naftës, gjë që mund të rrezikojë sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve, si dhe mjedisin jetësor. Pajisjet për matje janë të vjetruara dhe të improvizuara, ndërsa pompat për furnizim me karburant prej vitesh nuk janë kalibruar.
Plot 71 përqind e rezervave – pjesë këmbimi, materiale dhe goma automjetesh, në vlerë prej 5,5 milionë eurosh – janë më të vjetra se viti 2019, ndërsa për to nuk është bërë fare harmonizim i vlerës. Për më tepër, kompania nuk posedon fletëpronësi për një pjesë të madhe të ndërtesave dhe objekteve të komunikacionit që janë në pronësi të saj.
Në vend të shlyerjes me kohë të detyrimeve, në raportin e ESHR-së thuhet se praktika e ndërmarrjes ka qenë paraqitja e kundërshtimeve ndaj urdhërpagesave, gjë që ka rezultuar me zvarritjen e procedurave gjyqësore dhe rritjen e konsiderueshme të detyrimeve në bazë të borxhit kryesor, kamatave dhe shpenzimeve gjyqësore.
Pavarësisht ekzistimit të procedurave gjyqësore të përfunduara me vendime të formës së prerë dhe probabilitetit të lartë për dalje të resurseve ekonomike në vlerë prej 260.982 mijë denarësh, kompania nuk ka bërë rezervimin e mjeteve në përputhje me SNK 37. Për këtë arsye, detyrimet, shpenzimet dhe rezultati financiar nuk janë paraqitur në mënyrë reale dhe objektive në raportet financiare.
Revizioni ka konstatuar edhe shpenzim joracional të ujit për nevoja administrative, në vlerë prej mbi 5,4 milionë denarësh, si dhe ofrim të shërbimeve pa kontrata të vlefshme dhe pa politikë të përditësuar të çmimeve.
Gjatë revizionit janë konstatuar mangësi edhe në menaxhimin e burimeve njerëzore, zbatimin e rregullativës ligjore dhe të brendshme në fushën e marrëdhënieve të punës, organizimin e proceseve të punës, si dhe në sistemin e llogaritjes dhe pagesës së pagave dhe kompensimeve.
Revizorët paralajmërojnë se kjo gjendje vë seriozisht në pikëpyetje efikasitetin, rregullsinë dhe sigurinë e komunikacionit hekurudhor në vend.
Drejtori i përgjithshëm i “Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Transport”, më 2 nëntor 2026, i ka dorëzuar ESHR-së një informacion për aktivitetet e ndërmarra dhe ato të planifikuara për tejkalimin e gjendjeve të konstatuara dhe për përmbushjen e rekomandimeve të revizionit.
Ndryshe, në raportin paraprak të Revizionit u konstatua se Ministria e Financave e ka vonuar nga 10 deri në 48 ditë pune pagesën e mjeteve për linjën kreditore të destinuar për investime dhe zhvillim të kompanive private. Edhe pse me marrëveshjen është paraparë që Ministria t’i paguajë mjetet e kërkuara në afat prej 10 ditësh pune, revizorët kanë konstatuar se vonesa ka filluar te transha e katërt për muajin maj të vitit 2025 dhe ka vazhduar në periudhën në vazhdim