Rënie e numrit të banesave të shitura në Maqedoninë e Veriut

Në tremujorin e dytë të vitit janë shitur më pak banesa se në tremujorin e parë. Të dhënat e publikuara nga Agjencia për Kadastër të Patundshmërive për periudhën 1 prill – 30 qershor tregojnë se gjatë këtij tremujori janë shitur 676 banesa të sapondërtuara nga investitorët, që është për 178 banesa më pak krahasuar me tremujorin e parë të vitit, raporton TV21.

Në fazë ndërtimi janë 25.354 banesa të cilat pritet të dalin në tregun e patundshmërive.

Numër më të madh të banesave të shitura ka në komunën e Aerodromit, ku në tremujorin e dytë janë shitur 164 banesa. Ndërsa sa i përket shtëpive, numri më i madh i tyre është shitur në Manastir, respektivisht 60 shtëpi.

Çmimi më i lartë për një metër katror banese është regjistruar në komunën Qendër, ku një banesë prej 96 metrash katrorë është shitur për 260 mijë euro, ose 166.563 denarë për metër katror.

 

BanesaÇmimi i banesaveEkonomia e shtetit - Lajme ekonomi