Reagime ndaj deklaratave të Bogojeskit për gratë, AShMAA kreu mbikëqyrje dhe dënoi relativizimin e dhunës

Deklaratat e Petar Bogojeskit, kryetar i partisë Koncepti Maqedonas, për mbikëqyrjen nga burrat ndaj grave dhe relativizimin e dhunës në marrëdhëniet bashkëshortore, ka nxitur reagime nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe Rrjeti Mediatik i Grave “Ednakva”, të cilat kërkuan përgjegjësi për mesazhet e përcjella në debatin televiziv në TV Alfa, transmeton Portalb.mk.

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale ka kryer mbikëqyrje ndaj emisionit “Pod Llupa”, të transmetuar më 2 nëntor, dhe ka vlerësuar se gazetarja që drejtoi debatin veproi në përputhje me standardet profesionale, pasi parashtroi pyetje relevante, vuri në pikëpyetje pretendimet e Bogojeskit dhe kërkoi sqarime shtesë. Megjithatë, Agjencia dënoi qëndrimet e tij për relativizimin dhe arsyetimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, duke theksuar se dhuna, poshtërimi dhe pabarazia nuk janë vlera tradicionale dhe nuk mund të justifikohen me asnjë pretekst.

“Njëkohësisht, Agjencia dënon qëndrimet e Petar Bogojeskit, me të cilat relativizohet dhe arsyetohet dhuna ndaj grave dhe fëmijëve, promovohet pozita e tyre e nënshtruar dhe tentohet që pikëpamje të tilla të paraqiten si vlera tradicionale. Mesazhe të tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të respektimit të të drejtave të njeriut, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dhuna, poshtërimi dhe pabarazia nuk janë vlera tradicionale dhe nuk mund të arsyetohen me asnjë pretekst. Veçanërisht e papranueshme është që dhuna fizike ndaj fëmijëve të paraqitet si mënyrë e pranueshme e edukimit, ose dhuna ndaj grave si pjesë normale e marrëdhënieve familjare”, thonë nga ASHMAA.

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi theksoi se asnjë burrë nuk ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi një grua. Organizata kërkoi nga Qeveria të dënojë publikisht qëndrimet e Bogojeskit, nga Prokuroria Publike të vlerësojë nëse ka elemente të nxitjes së dhunës, diskriminimit ose gjuhës së urrejtjes, si dhe nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi të hapë procedurë.

Edhe Rrjeti Mediatik i Grave “Ednakva” shprehu shqetësim serioz për deklaratat e Bogojeskit, duke i cilësuar ato si promovim të pikëpamjeve patriarkale dhe mizogjene, në të cilat gruaja paraqitet në pozitë të nënshtruar, ndërsa kontrolli mbi jetën, sjelljen dhe vendimet e saj si e drejtë dhe detyrim i burrit. Rrjeti kritikoi edhe televizionin, duke vlerësuar se deklaratat u transmetuan pa reagim të përshtatshëm, distancim kritik apo moderim nga gazetarja. Sipas organizatës, mediat kanë përgjegjësi të krijojnë mjedis të sigurt, gjithëpërfshirës dhe jodiskriminues, si dhe të mos i normalizojnë narrativat që arsyetojnë kontrollin dhe dhunën me bazë gjinore.

Ndërkaq, kryetarja e Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, i cilësoi deklaratat si poshtëruese, retrograde dhe të rrezikshme për gratë. Në reagimin e saj në Facebook, ajo theksoi se është e papranueshme të flitet për gruan si person që ka nevojë për mbikëqyrje dhe se dhuna në marrëdhëniet mes partnerëve nuk duhet të relativizohet apo të arsyetohet.

Reagimet vijnë pas debatit në TV Alfa, ku Bogojeski foli për feminizmin, marrëdhëniet bashkëshortore dhe rolin e burrit ndaj gruas. Ai deklaroi se feminizmi i ka nxitur gratë ta refuzojnë mbikëqyrjen nga burrat dhe se bashkëshorti duhet të ketë rolin e mbikëqyrësit ndaj bashkëshortes. Gjithashtu, duke folur për tradhtinë bashkëshortore, ai e përshkroi reagimin e burrit si reagim për mbrojtjen e dinjitetit të tij, e jo si dhunë.

Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAA)Dhuna ndaj gravePetar Bogojeski