Kryeparlamentari Gashi, realizoi takime të lamtumirëse dhe mirëseardhëse me ambasadorin e OSBE-së dhe të Britanisë në Shkup

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot zhvilloi takime të ndara me ambasadorin e Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Val, dhe ambasadoren e sapoemëruar të Mbretërisë së Bashkuar, Maja Sivanjanam. Në takimin me ambasadorin Val u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen e OSBE-së në forcimin e demokracisë, pavarësisë parlamentare, mbikëqyrjes së pushtetit ekzekutiv dhe të drejtave të komuniteteve. Ndërkaq, në takimin me ambasadoren britanike u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve, Partneritetin Strategjik, marrëdhëniet tregtare dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për agjendën evropiane të Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Gashi i uroi ambasadores mirëseardhje duke i dëshiruar mandat të suksesshëm dhe vazhdimësi të bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Kuvendit dhe Ambasadës Britanike.

Kryetari theksoi dinamikën zhvillimore shumëdekadëshe të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat zhvillohen përmes formave konkrete të bashkëpunimit në projekte dhe në nivel institucional. Si bashkëpunim të veçantë veçoi atë me Fondacionin Vesminster për Demokraci, përmes të cilit fuqizohen funksionet e Kuvendit dhe të Shërbimit të Kuvendit. Shprehu pritshmëri për vazhdimin e realizimit të bashkëpunimit në nivel të kryetarëve të parlamenteve, grupeve parlamentare të bashkëpunimit në të dy parlamentet, si dhe shkëmbimit ndërmjet komisioneve të praktikave dhe përvojave më të mira.

Ambasadorja Sivanjanam shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e rëndësishëm me Kuvendin, të cilit do t’i kushtojë vëmendjen e duhur gjatë mandatit të saj. Me këtë rast, ajo e informoi kryetarin Gashi për prioritetet dhe fushat kryesore të angazhimit të saj në periudhën e ardhshme, me theks të veçantë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike dhe të bashkëpunimit të përgjithshëm dypalësh ndërmjet dy shteteve.

Afrim Gashi dhe dhe ambasadorja e të Mbretërisë së Bashkuar, Maja Sivanjanam. Foto: Kuvendi i RMV-së

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime lidhur me aktivitetet e ardhshme të Kuvendit, si dhe mundësitë dhe modalitetet për intensifikimin e dinamikës së bashkëpunimit tashmë të vendosur ndërmjet dy parlamenteve. U theksua rëndësia e Partneritetit Strategjik dhe e Marrëveshjes që rregullon marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve, si dhe mbështetja e mëtejshme e Mbretërisë së Bashkuar për agjendën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, në takim me ambasadorin e Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Val, kryeparlamentari Afrim Gashi falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe kontributin personal të ambasadorit në avancimin e marrëdhënieve midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Misionit të OSBE-së në Shkup. Ai theksoi se OSBE-ja, përmes pranisë së saj të gjatë në Maqedoninë e Veriut, është partner i rëndësishëm dhe konstruktiv i institucioneve në procesin e forcimit të demokracisë, sundimit të së drejtës dhe shoqërisë gjithëpërfshirëse.

Ambasadori Kilian Val theksoi se është e rëndësishme të vazhdohet me forcimin e mëtejshëm të rolit të Kuvendit si institucion qendror demokratik, veçanërisht në aspektin e kontrollit dhe mbikëqyrjes mbi pushtetin ekzekutiv, transparencës së institucioneve, llogaridhënies dhe rritjes së besimit të qytetarëve në proceset demokratike.

Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se përfshirja, barazia dhe respektimi i të drejtave të të gjitha komuniteteve mbeten me rëndësi të veçantë për dialogun politik dhe për ndërtimin e besimit midis komuniteteve të ndryshme, ndërsa përvoja dhe mbështetja e OSBE-së në këtë fushë janë veçanërisht të vlefshme.

Në fund, Gashi theksoi se ambasadori Val është ekspert i shkëlqyer i situatave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe në rajon, se është mik i dëshmuar i vendit tonë dhe se në të ardhmen mund të konsiderojmë në mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij në varësi të detyrave të tij të reja.

Ambasada e Britanisë - Anglisë në RMVKilian Wahl OSBEOSBE RMVParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut