Gjykata e Apelit e shpalli të pafajshëm Boki 13 për rastin “Lidhja Ndërkombëtare”

Gjykata e Apelit në Shkup ka marrë vendim lirues për Bojan Jovanovskin – Boki 13, në rastin “Lidhja Ndërkombëtare”, duke e ndryshuar kështu aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin ai ishte dënuar me pesë vjet burg. Informacionin e bëri të ditur avokati i tij, Sashko Dukovski. Të pafajshëm janë shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në të njëjtin rast, transmeton Portalb.mk.

“Ja pra, drejtësia është e ngadaltë, por e arritshme! Gjykata e Apelit në Shkup sot mori vendim lirues për Bojan Jovanovskin në rastin ‘Lidhja Ndërkombëtare’. Me këtë e ndryshoi aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore Penale, me të cilin ishte dënuar me pesë vjet burg!!”, publikoi Dukovski.

Vendimi paraqet një kthesë të re në rastin që për vite me radhë u zhvillua kundër Jovanovskit dhe disa të akuzuarve të tjerë për keqpërdorime të dyshuara financiare të lidhura me organizatën joqeveritare “Lidhja Ndërkombëtare”.

Në procedurën e mëparshme, Gjykata e Apelit tashmë e kishte konfirmuar aktgjykimin lirues për ish-deputeten Frosina Tashevska-Remenski, ndërsa aktgjykimet fillestare për disa nga të akuzuarit e tjerë ishin shfuqizuar dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

Në tetor të vitit 2025, pas rigjykimit, Jovanovski u dënua me pesë vjet burg për mashtrim dhe pastrim parash. Sipas njoftimit të sotëm të avokatit të tij, ky aktgjykim tani është ndryshuar në vendim lirues.

Dukovski e përshëndeti vendimin, duke vlerësuar se pas një aktakuze të keqe vjen një vendim lirues.

Vitin e kalua,r Gjykata Themelore Penale në Shkup shqiptoi dënime më të ulëta në procedurën e përsëritur në rastin “Lidhja Ndërkombëtare”. Me vendimin e ri të shkallës së parë, Bojan Jovanovski – Boki 13 u dënua me një dënim të vetëm prej pesë vitesh burg për veprat penale Mashtrim dhe Pastrim i parave, që është një ulje e dënimit nga nëntë vitet fillestare.

E pandehura Jasna Ercegoviq u dënua me dy vite burg për Pastrim parash, në të cilin do të përfshihej edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak. Për të njëjtin krim, Hristina Bllazhevska dhe babai i Bojanit, Mile Jovanovski, u dënuan me kusht. Bllazhevska u dënua me një vit burg me kusht, ndërsa Jovanovski me një vit e gjashtë muaj, të cilat nuk do t’i vuajnë nëse nuk kryejnë vepër të re penale në tre vitet e ardhshme.

Gjoba për personin juridik “Lidhja ndërkombëtare” mbeti një milion denarë.

Në Vendimin e parë të shkallës së parë të shqiptuar në prill të vitit 2022 parashihej një denim prej gjithsej 14 vitesh burg. Atë kohë Jovanovski u dënua me nëntë vite burg, ndërsa Ercegoviq me katër vite burg.

Në prill të vitit 2024 Gjykata e Apelit në Shkup e rrëzoi vendimin pas ankesave të të pandehurve dhe e ktheu lëndën në rigjykim. Gjykata e Apelit pastaj e konfirmoi lirimin nga akuzat të ish-deputetes Frosina Tashevska Remenski për veprën penale Mashtrim dhe ia uli dënimin Mile Jovanovskit duke e dënuar me një vit burg për Trafikim të paautorizuar të armëve.

Rasti “Lidhja Ndërkombëtare” ka të bëjë me abuzimet e kryera përmes organizatës joqeveritare me të njëjtin emër, ku, sipas aktakuzës, biznesmenëve me mashtrim u janë marrë fonde për ndërtimin e supozuar të projekteve sociale dhe shtëpive për të moshuarit.

LEXO: Boki 13 dhe të pandehurit e tjerë morën dënime më të ulëta në gjykimin e përsëritur për “Lidhja ndërkombëtare”, nga nëntë në pesë vjet burg për Jovanovskin

Boki 13 – Bojan Jovanovski