Deri në orën 7:30 të mëngjesit të sotëm, në territorin e shtetit janë regjistruar gjithsej 31 zjarre në hapësira të hapura. Prej tyre, tre zjarre janë aktive, katër janë nën kontroll, ndërsa 24 janë shuar – njoftuan nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) në raportin e mëngjesit për gjendjen me zjarret në hapësira të hapura, transmeton Portalb.mk.
Zjarre aktive ka në territorin e Studeniçanit dhe Zelenikovës, në komunat e Gostivarit dhe Makedonski Brodit, si dhe në territorin e Çashkës. Janë përfshirë pyje të përziera, pyje me drunj të ulët, vegjetacion i ulët, fier dhe dëllinja.
Nën kontroll janë katër zjarre, përkatësisht – pranë fshatit Tajmishtë të Kërçovës, ku është përfshirë pyll ahu me drunj të lartë; mes rezervatit „Jasen“ dhe fshatit Breznicë në Makedonski Brod, ku janë përfshirë vegjetacion i ulët dhe pyll me pisha; zjarri në deponinë e qytetit „Melci“ në Kavadar, si dhe zjarri në deponinë në Dellçevë.
Deri në orën 7:30 të mëngjesit të sotëm, në territorin e shtetit janë regjistruar 24 zjarre të shuar në hapësira të hapura. Në mesin e zjarreve të shuara, kryesisht janë përfshirë vegjetacion i ulët, mbetje të korrjeve dhe mbeturina.
Kujtojmë se Qeveria ka shpallur gjendje të krizës në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në fund të gushtit për shkak të rritjes së rreziqeve dhe kërcënimeve nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik (IShP) u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje nga vala e të nxehtit.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut, viteve të kaluara është përballur me shumë zjarre. Gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit të kaluar u raportuan një sërë zjarresh.