Punonjësit shëndetësorë kanë konstatuar vdekjen e 40 vjeçarit pas aksidentit që ndodhi në rrugën Kavadarci – Negotinë. Ndaj trupit të viktimës do të kryhet obduksioni, transmeton Portalb.mk.
“Ndodhi aksident rrugor ndërmjet automjetit “Seat” me tabela të Velesit, ku ngasëse ishte 18 vjeçarja V.Z. nga Gradsko, dhe automjetit “Opel” me tabela të Velesit, ku ngasës ishte 46 vjeçari B.J. nga Velesi”, raportoi Policia
Ndeshja kishte ndodhur në rrugën rajonale në komunën e Rosomanit. Në këtë ndeshje, 40 vjeçari M.P. që ishte bashkudhëtar në “Opel” kishte ndërruar jetë pas lëndimeve të shkaktuara në aksident, ndërsa lëndime të rënda ka pësuar edhe 18 vjeçarja A.N. në “Seat” dhe ngasësi i automjetit “Opel”.
Ministri për Punë të Brendshme, Pançe Toshkovski, në muajin shtator vlerësoi se më zbatimin e sistemit të kamerave në komunikacion, do të shpëtojmë jetën e njerëzve, pasi numri i parregullsive në komunikacion nuk do të jetë kaq i madh në momentin kur qytetarët e kuptojnë se sistemi është funksional.
Aksidentet rrugore janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë për grupmoshat 5-29 vjeç. Prandaj OKB-ja ka nisur tani fushatën #MakeASafetyStatement, e cila synon të rrisë sigurinë rrugore dhe ta përgjysmojë këtë shifër deri në vitin 2030. Çdo vit prej aksidenteve rrugore vdesin 1.2 milionë vetë dhe plagosen 40 deri në 50 milionë të tjerë, shumë prej tyre në gjendje të rëndë.