Qytetarët kryesisht “ushqehen” me informacione nga televizori dhe rrjetet sociale, ndërsa besimi te influencerët është i moderuar

Televizioni me 72,4% dhe rrjetet sociale me 69,4% janë mediat kryesore për informim, me përdorim të përditshëm pothuajse identik. Mediat online, ose portalet e internetit, janë shtylla e tretë e qëndrueshme, ndërsa radioja dhe shtypi kanë ndikim marginal. Kohët e fundit dallohen edhe influencerët, me ndikim real, por të kufizuar. Kjo mes tjerash thuhet në hulumtimin e Agjencisë për Shërbime Audiovizuale, transmeton Portalb.mk.

Hulumtimi i opinionit të publikut mbi mediat, i zhvilluar midis 27 dhjetorit 2025 dhe 25 janarit 2026, konfirmon se telefoni është pajisja më e përdorur.

“Televizorët vazhdojnë të jenë të përhapur gjerësisht, por kryesisht trajtohen si pajisje familjare në shtëpi, ndryshe nga kompjuterët/laptopët ku është më e dukshme pronësia individuale dhe përdorimi personal”, thuhet në hulumtim.

Një shumicë e madhe e të anketuarve (83,4%) konsiderojnë se televizioni ka ndikim të madh në formësimin e opinionit publik.

Sa i përket ndikimit të politikanëve mbi informacionin në lajmet televizive, opinionet janë të ndara. Televizioni ruan funksionin edukativ, me 66,2% të qytetarëve që konfirmojnë se kanë mësuar gjëra të dobishme nga ai.

Pamja e përgjithshme për ofertën e televizioneve vendase është e ndarë, ku 45,6% e të anketuarve janë deklaruar “të pakënaqur”.

Shumica, 72,3%, përdorin radion vetëm për të dëgjuar muzikë.

Edhe pse një grup më i vogël qytetarësh (28,5%) ndjek influencerë, ata janë publik shumë aktiv. Madje 80% e atyre që ndjekin krijues digjital e bëjnë këtë rregullisht gjatë javës.

“Besimi tek influencerët është kryesisht i moderuar ose i ulët, ku vetëm 19% e qytetarëve deklarojnë se u besojnë ‘plotësisht’ ose ‘në pjesën më të madhe”, thuhet në hulumtim.

Përdoruesit e rrjeteve sociale tregojnë vetëdije të lartë për përmbajtjet e sponsorizuara. Shumica e të anketuarve (43,3%) shpesh identifikojnë kur një inflluencer promovon një produkt ose shërbim për kompensim monetar.

Sipas hulumtimit, 67,6% e qytetarëve që janë ekspozuar ndaj komunikimit agresiv ose fyese nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim, ndërsa 28,9% kanë menduar të reagojnë, por janë tërhequr. Vetëm 3,5% e të anketuarve kanë ndërmarrë hap aktiv kundër këtyre dukurive.

Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (ASHMAA)Etika në mediaGazetarë - Gazetari - MediaInfluencerëPortaleRadioTV - Televizion