QMK: Katër zjarre aktive në RMV, tre janë nën kontroll

Në 24 orët e fundit, në vend janë regjistruar gjithsej 25 zjarre, nga të cilat 4 janë aktive, 3 janë nën kontroll dhe 18 janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza, shkruan Portalb.mk.

“Zjarre aktive ka në afërsi të fshatrave Morane – Vrtekica – Ramni Gaber në komunën e Studeniçanit, ku digjet pyll i përzier, dhe në afërsi të Vidushit, Dragov Dol dhe Lokvicës në komunën e Makedonski Brodit, ku është djegur bimësi e ulët, pyll me rritje të ulët dhe shkurre. Një zjarr aktiv ka edhe në komunat e Velesit dhe Zelenikovës, në zonën e fshatit Slp, i cili po përhapet drejt fshatrave Karabunjiste Dobrino dhe Tisovicë, si dhe në komunat Jegunovcë dhe Saraj, pranë fshatrave Kopancë dhe Tudencë, i cili po përhapet drejt Bojanës”, njoftojnë nga QMK.

Më tej theksojnë se zjarret nën kontroll janë pranë fshatrave Aldanci, Norovo dhe pranë Borinos dhe Zhitosës në komunën e Krushevës dhe në deponinë në Kratovë.

Qendra për Menaxhimin e Krizave thotë se gjithsej 29 zjarre në ajër të hapur janë regjistruar gjatë fundjavës, prej të cilave gjashtë janë aktive në mëngjes, një është nën kontroll dhe 22 zjarre janë shuar.

Kujtojmë se Qeveria ka shpallur gjendje të krizës në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut deri në fund të gushtit për shkak të rritjes së rreziqeve dhe kërcënimeve nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik (IShP) u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin masa për mbrojtje nga vala e të nxehtit.

Këtë javë është rritur edhe rreziku për shfaqjen dhe përhapjen e shpejtë të zjarreve në hapësira të hapura dhe zjarreve në pyje. Dita e 12 gushtit shënoi kulmin e deritanishëm të sezonit të zjarreve në Maqedoninë e Veriut, me dhjetëra vatra aktive që angazhuan ekipet e zjarrfikësve dhe të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në disa rajone të vendit.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut, viteve të kaluara është përballur me shumë zjarre. Gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit të kaluar u raportuan një sërë zjarresh.

ZjarrZjarrfikës