Dy persona humbën jetën, ndërsa tre të tjerë u lënduan rëndë në një aksident trafiku që mbrëmë ndodhi në autostradën Kumanovë–Shkup, te Agino Selo, transmeton Portalb.mk.
“Më 19.09.2026, rreth orës 21:35, në SPB Kumanovë është raportuar se në autostradën Kumanovë–Shkup, në drejtim të Shkupit, në territorin e fshatit Agino Selo, ka ndodhur një aksident trafiku mes një automjeti të pasagjerëve ‘Mercedes’ me targa të Shkupit, të drejtuar nga M.M. (65) nga Shkupi, dhe një automjeti të pasagjerëve ‘Opel Corsa’ me targa të Shkupit, të drejtuar nga S.N. (27) nga Shkupi”, njoftojnë nga Sektori për Punë të Brendshme Kumanovë.
Në vendngjarje kanë ndërruar jetë bashkudhëtarët e automjetit “Opel Corsa”, V.N. (49) dhe L.M. (71), nga Shkupi.
“L.N. (48), bashkudhëtare në automjetin ‘Opel Corsa’, ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa bashkudhëtarja B.N. (28) dhe S.N. (27), nga Shkupi, kanë pësuar lëndime trupore dhe janë transportuar në Kompleksin e Klinikave ‘Nënë Tereza’ në Shkup”, shtojnë nga policia.
Inspektimin në vendngjarje e ka kryer një ekip i SPB Kumanovë, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, drejtuesi i automjetit “Mercedes”, M.M., është privuar nga liria. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
Në terren kanë intervenuar edhe pesë zjarrfikës nga Njësia Territoriale e Zjarrfikësve.