Qeveria e ndërpreu koncesionin për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël në lumin Bllateshnica

Qeveria në seancën e mbajtur më 30 qershor mori vendim për ndërprerjen e njëanshme të kontratës së koncesionit për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Bllateshnica. Vendimi u publikua në Gazetën Zyrtare më 3 korrik, ndërsa investitori “Energy Lux” nga Koçani ka 30 ditë afat për ankesë para Gjykatës Administrative, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i komunës së Vinicës, Mitko Kostadinovski, sot njoftoi se me këtë përmbyllet edhe një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e interesit publik dhe vlerave natyrore të këtij hapësire.

Banorët e fshatit Bllatec të Vinicës për më shumë se një dekadë janë duke u përpjekur të ruajnë lumin e tyre Bllateshnica nga ndërtimi i një hidrocentrali të vogël. Në mars të këtij viti ata organizuan protesta dhe bllokuan edhe rrugën Vinicë–Berovë, ndërsa qasjen drejt lumit e mbanin nën rojë. Ata kërkonin që të mos ndërtohen objekte infrastrukturore në lumin nga i cili varet jeta në fshat me mbi 1.200 banorë, të cilët ujin e përdorin për pije dhe për ujitje të arave.

Kostadinovski theksoi se në gjysmën e dytë të shkurtit, me një shkresë zyrtare e kishte njoftuar investitorin se leja për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Bllateshnica kishte pushuar së vlejturi më 13.08.2025.

“E paralajmërova se nëse ndërmerr çfarëdo veprimesh ndërtimore pas skadimit të vlefshmërisë së lejes, ato do të konsiderohen si ndërtim pa leje, përkatësisht ndërtim i paligjshëm, dhe do të përbëjnë bazë për nisjen e procedurave përkatëse sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Për këtë, me një shkresë të veçantë e kam njoftuar edhe Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, me qëllim që kjo rrethanë të merret parasysh gjatë vendimmarrjes për një zgjatje eventuale të kontratës së koncesionit”, tha Kostadinovski.

EnergjetikëHidrocentraleMinierave dhe Burimeve Minerale (MEMBM)Ministria e Energjetikës