Qeveria e Kosovës e ka ndaluar tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe të energjisë, për shkak të, siç tha, vendimit të Serbisë për t’i mbajtur të bllokuara linjat ndërkufitare për tregtim tash e pothuajse shtatë vjet, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ky vendim, sipas kryeministrit Albin Kurti, vjen pasi Serbia nuk e ka zbatuar kërkesën e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë për t’i zhbllokuar dy linjat e interkoneksionit ndërkufitar, prej 400 kilovatësh, më 1 korrik.
Duke folur në një mbledhje të kabinetit të tij qeveritar të hënën, Kurti tha se Kosova po vendos kundërmasa ndaj Serbisë në fushën e energjisë, sepse “gjendja do të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim” nga shteti fqinj.
Kundërmasat e Kosovës përfshijnë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet me origjinë nga Serbia, pra: blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, qoftë drejtpërdrejt apo përmes transitit, ose rishitjes.
Se çfarë nënkuptojnë këto kundërmasa, kush preket dhe si ndikojnë ato, shpjegojmë më poshtë.
Me cilat kompani serbe bën tregti Kosova?
Qeveria e Kosovës nuk dha hollësi për kompanitë serbe që mund të jenë duke bërë tregti me energjinë elektrike në Kosovë, jashtë një kompanie serbe të themeluar përmes një marrëveshjeje mes dy vendeve në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Por, Radio Evropa e Lirë (REL) merr vesh nga burimet në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë se ekziston së paku një kompani serbe, e quajtur Energy Financing Team (EFT).
Shqyrtimi i aplikacionit të Energy Financing Team LL.C për veprimtarinë e tregtisë dhe energjisë elektrike ishte në rend dite në mbledhjen e 11-të të bordit të rregullatorit të energjisë së Kosovës, ZRRE, më 23 tetor, por deri më tash nuk ka të dhëna pse nuk i është vazhduar licenca.