Pse gjithnjë e më shumë shtete ndalojnë me ligj rrjetet sociale për fëmijët e tyre?

Viti 2026 ka shënuar një kthesë drastike në mënyrën se si shtetet po ndërhyjnë në jetën digjitale të fëmijëve, duke kaluar nga thjesht këshilla prindërore në ligje strikte dhe ndalime të plota, shkruan Portalb.mk.

Australia hapi rrugën me një vendim historik në fund të vitit të kaluar, duke u bërë vendi i parë në botë që ndaloi zyrtarisht qasjen në rrjetet sociale për të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeç. Ky model, i cili nuk lejon as pëlqimin e prindërve si përjashtim, ka shërbyer si një shkëndijë për një valë të ngjashme në Evropë dhe më gjerë.

Spanja është bërë vendi i dytë që ka ndërmarrë hapa konkrete. Qeveria do të ndalojë qasjen për të miturit nën 16 vjeç, duke i cilësuar rrjetet sociale si një hapësirë ku krimi dhe dezinformimi lulëzojnë jashtë kontrollit.

Francë, Presidenti Emmanuel Macron ka deklaruar se mendjet e fëmijëve nuk janë në shitje për algoritmet e huaja, duke shtyrë përpara një ligj që ndalon rrjetet sociale për moshat nën 15 vjeç, i cili pritet të hyjë në fuqi plotësisht këtë shtator.

Norvegjia ka propozuar një ndalim për moshat nën 15 vjeç, ku qeveria po insiston për një kufizim të rreptë pa mundësi anashkalimi nga prindërit.

Danimarka njoftoi planet e saj në fund të vitit 2025 për të ndaluar aksesin për personat nën 15 vjeç, duke konsideruar përdorimin e sistemit të tyre kombëtar të identifikimit elektronik për procesin e verifikimit.

Ndërkohë, Malajzia ka bërë të ditura planet për të zbatuar një ndalim për moshat nën 16 vjeç, i cili pritet të nisë gjatë vitit 2026.

Ky presion po rritet edhe në Ballkan, ku Greqia dhe Sllovenia kanë njoftuar se janë shumë pranë miratimit të ligjeve të ngjashme për të mbrojtur shëndetin mendor të të rinjve.

Kujtojmë se edhe deputetetët e Parlamentit Evropian, me shumicë të madhe votash, miratuan një rezolutë që kërkon vendosjen e kufizimeve të moshës për përdorimin e rrjeteve sociale

Polemika kryesore mbetet zbatimi teknik i këtyre ligjeve, pasi platformat si TikTok, Instagram dhe Snapchat po detyrohen të krijojnë barriera reale të verifikimit të moshës, e jo thjesht deklarime simbolike. Përderisa disa ekspertë e shohin këtë si një ndërhyrje të nevojshme të shtetit përballë një “kapitalizmi të egër digjital”, të tjerë ngrenë shqetësime mbi privatësinë e të dhënave që do të mblidhen gjatë proceseve të verifikimit.

Kufizimet e moshës për rrjetet sociale. Infografik nga Portalb.mk

Shëndeti mendor dhe “cikli i dopaminës”

Arsyeja parësore që po shtyn qeveritë drejt këtyre masave drastike është mbrojtja e shëndetit mendor të adoleshentëve, i cili po përballet me një krizë globale. Studimet e fundit kanë treguar se algoritmet e rrjeteve sociale janë të dizajnuara për të krijuar varësi përmes “cikleve të dopaminës”, duke i mbajtur të miturit të mbërthyer pas ekranit dhe duke ndikuar negativisht në zhvillimin e trurit të tyre. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj standardeve joreale të bukurisë, promovimi i çrregullimeve të të ngrënit dhe bullizmi kibernetik janë identifikuar si shkaktarë direktë të rritjes së ankthit, depresionit dhe, në raste tragjike, vetëvrasjeve mes të rinjve. Duke vendosur një prag moshe, shtetet synojnë t’u japin fëmijëve një “vonesë të sigurt” që të rriten emocionalisht përpara se të përballen me presionin e botës digjitale.

Siguria nga predatorët dhe dezinformimi

Përveç shëndetit mendor, një faktor tjetër kritik është siguria fizike dhe mbrojtja nga manipulimi. Rrjetet sociale janë kthyer në tregje ku të dhënat personale të fëmijëve shfrytëzohen për profiling dhe ku predatorët seksualë gjejnë rrugë më të lehta për të kontaktuar të miturit. Qeveritë, si ajo e Australisë dhe Spanjës, argumentojnë se platformat kanë dështuar të vetërregullohen, duke lejuar përhapjen e gjuhës së urrejtjes, përmbajtjeve të dhunshme dhe dezinformimit të rrezikshëm që mund të radikalizojë mendjet e reja. Në këtë kontekst, ndalimi shihet si një mjet për të detyruar gjigantët teknologjikë të marrin përgjegjësi ligjore dhe financiare, duke e zhvendosur barrën e mbrojtjes nga prindërit e pafuqishëm direkt te vetë kompanitë e teknologjisë.

AustraliaFacebook - MetaFëmija/ëFrancaInstagramRrjete socialeShëndeti mendorSnapchatSpanjaTECH - TeknologjiTikTok