Protesta e kësaj të shtunë ka marrë një dinamikë tjetër, ndërsa turma e protestuesve ka nisur lëvizjen nga Kryeministria në drejtim të Ministrisë së Arsimit, raporton Euronews.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, qytetarët, mbështetësit dhe deputetët e opozitës po marshojnë në bulevard për t’u bashkuar me grupin tjetër të protestuesve që ndodhen në Ministrinë e Arsimit.
Marshimi po zhvillohet nën vëzhgimin e forcave të rendit. Deri më tani nuk ka patur asgjë incident mes protestuesve dhe policisë.
Protesta para Ministrisë së Arsimit ka shënuar momente tensioni dhe pakënaqësie. Sapo mbështetësit dhe deputetët e Partisë Demokratike u janë bashkuar në protestë, studentët kanë shprehur kundërshtimin e tyre për tu bashkuar.
Mësohet se ky bashkim është shoqëruar fillimisht me një incident, ku dy persona kanë pasur një debat të ashpër. Megjithatë, situata është qetësuar shpejt falë ndërhyrjes së protestuesve të tjerë që ndodheshin në shesh.
Studentët kanë shprehur hapur pakënaqësinë e tyre, duke deklaruar se nuk janë dakord që mbështetësit dhe strukturat e opozitës t’i bashkohen protestës së tyre. Të rinjtë janë dëgjuar të thërrasin në kor: “Opozita jemi ne!”, duke kërkuar që lëvizja e tyre të mbetet studentore dhe e pavarur nga partitë politike.