Protestat e studentëve në Serbi mund të përcaktojë të ardhmen e vendit drejt BE-së dhe raporteve me vendet fqinjë. Duke analizuar dinamikën e protestave në Serbi, bëhet më se qartë se qeveria serbe dhe presidenti Aleksandër Vuçiq (Partia Progresive Serbe) janë në një pozitë të pavolitshme, për arsye të politikave të korrupsionit që nga ardhja në pushtet në vitin 2012. Protestat e fundit në Serbi, që u nxitën nga rasti tragjik në Vojvodinë, në shtesë janë reflektim i politikave të ashpra të qeverisë serbe ndaj opozitës dhe gjendjes së vështirë ekonomike.
Kohë më parë, qytetarë serbë u ngritën kundër planeve të qeverisë qendrore për të aktivizuar një projekt të minierave të litiumit me mbështetje nga Gjermania, dhe nga disa vende anëtare të BE-së. Serbia në këto marrëdhënie të ndërlikuara në mes veti, dhe me popujt fqinjë po e zgjat rrugën integruese drejt BE-së. Edhe pse BE-ja është e gatshme ta pranojë shpejt Serbinë në BE, pavarësisht regjimit semi-autoritarë, lidhjeve me Rusinë, dhe problemet me Kosovën, duket qartë se Beogradi zyrtarë po luan në shumë anë.
Krahasuar me vitet e 90 -ta të shek. 20, të një politike të konfrontimit me Perëndimin, gjatë dy dekadave të fundit, Serbia ka përmirësuar dukshëm imazhin dhe pozicionin e saj brenda BE-së, mban raporte të shkëlqyera me SHBA-në, me Rusinë dhe Kinën. Megjithatë, protestat e vazhdueshme në Serbi, sugjerojnë se rruga drejt integrimit në BE nuk është e lehtë, pa i shtuar këtu mosmarrëveshjet me Kosovën dhe me Bosnjën. Pakënaqësitë politike në Serbi, tregojnë gjithashtu për një rritje të nacionalizmit serb, bashkë me politikat shtetërore agresive që kanë për synim destabilizimin e fqinjëve.
Natyrisht, kur jemi tek protestat studentore, qeveria serbe po bën presione të ndryshme, qëllimi është që të shtypet zëri opozitarë i drejtuar nga Dragan Gjillasi. Nga protestat e fundit, vërehet se studentët bashkë me qytetarët serbë synojnë të shfrytëzojnë pakënaqësitë për të rrëzuar regjimin e Vuçiqit. Në kuadër të krizës së brendshme politike, qeveria serbe është kritikuar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe të shtypit. Sipas një raporti të “Amnesty International”, zyrtarët serbë të Agjencisë së Zbulimit instaluan ‘spyware’ në telefonat e dhjetëra gazetarëve dhe aktivistëve të pavarur. Ndërkohë që presioni i brendshëm po rritet, qeveria e Serbisë ka vazhduar politikat balancuese lindje-perëndim.
Në vizitën e tij në Kinë, ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq nga homologu i tij kinez ka siguruar mbështetje e premtime për sovranitetin serb. “Kina do të mbështesë me vendosmëri Serbinë në ruajtjen e sovranitetit të saj kombëtar, pavarësisë dhe integritetit territorial, duke e mbështetur në mënyrë aktive zhvillimin dhe prosperitetin”, tha të premten ministri i Jashtëm kinez Wang Yi. Në këtë garë në mes amerikanëve, evropianëve, dhe kinezëve për Serbinë, duket se SHBA-ja po bën një lëvizje të re, që mund të ketë disa efekte në Serbi, në politikën e brendshme dhe atë të jashtme.
“Uashingtoni planifikon të vendosë sanksione kundër furnizuesit kryesor të gazit të Serbisë”, – tha presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq javën që shkoi. Presidenti Vuçiq tha se Serbia është informuar zyrtarisht se sanksionet do të hyjnë në fuqi më 1 janar të 2025-ës. Departamenti i Shtetit dhe Ambasada amerikane në Beograd nuk kanë bërë komente shtesë rreth sanksioneve të njoftuara. Siç dihet, Serbia varet nga gazi rus, i cili shpërndahet më tej nga Industria e Naftës e Serbisë (NIS), që njëkohësisht është në pronësi të korporatës ruse “Gazprom Neft”.
Në këtë linjë të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë, por që reflektojnë politikat serbe të shkeljes së detyrimeve ndërkombëtare, dhe diplomacisë lindje-perëndim, më 16 dhjetor, BE-ja miratoi paketën e 15-të të sanksioneve kundër Rusisë. Përveç synimit të individëve dhe subjekteve kryesore, BE-ja i zgjeroi kufizimet tregtare për të përfshirë 32 entitete të reja.
Këto subjekte ekonomike, janë me bazë në shtetet si Serbia, Kina, India, Irani dhe Emiratet e Bashkuara. Mbyllja e aktiviteteve diplomatike, financiare dhe ekonomike të Serbisë me Rusinë mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në politikën dhe ekonominë e brendshme serbe. Por, ndërsa njoftimet thonë se SHBA-ja dhe Rusia po punojnë për një plan për të ndërprerë luftën në Ukrainë dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore, sanksionet mund të mos ketë efekte, sepse të njëjtat mund të hiqen për Rusinë në vitin 2025.
Megjithatë, sa i përket politikave lindje-perëndim, duket se Serbia ka fituar në ekonomi dhe tregti. Raportet ekonomike për vitin 2024 tregojnë se Serbia ka vlera të mëdha eksporti me SHBA-në dhe BE-në të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në ngritjen e ekonomisë serbe, pavarësisht nga situata aktuale politike. Rritja e faktorit serb si aktor gjeopolitik rajonal duket se është në interes të BE-së dhe SHBA-së. Pavarësisht zhvillimeve ndërkombëtare, lojës serbe lindje-perëndim, dhe situatës aktuale, protestat studentore mund të ndryshojnë Serbinë, me gjasë të ndikimit në rajon e kështu me radhë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.