Pronari i firmës së kantierit me rrëshqitje të rrezikshme dheu është drejtues në Qendrën Sociale në Tetovë, ndaj tij ka kallëzime penale

Njëri në festë, tjetri nuk dëshiron të flasë me gazetarët. Kështu reaguan disa nga pronarët e kompanive, kantieri i ndërtimit të të cilëve në Shkup pësoi rrëshqitje dheu, e cila minoi themelet e ndërtesës fqinje, trotuarin dhe rrugën. Abdulvehap Huseini, i cili është një nga pronarët e “Pro Building” nga Tetova, u justifikua duke thënë se sot është festa e tij. Ajo që ai gjithashtu nuk donte të përgjigjej është se kundër tij ishin ngritur disa kallëzime penale, si drejtues i një sektori në Qendrën për kujdes social në Tetovë. Ai drejton sektorin e të Drejtave dhe është raportuar për “Punë të pakujdesshme në shërbim”. Ai është pajtuar me prokurorinë dhe i ka kthyer shtetit 18.000 denarë. Një punonjëse në qendër e ka raportuar për mobing, por gjykata vendosi në favor të Huseinit, kështu që ai tani është në apel, raporton Telma, transmeton Portalb.mk.

“Hristo Smirnenski” është mbyllur plotësisht. Pavarësisht faktit se kantieri kishte ndalim për punë të lëshuar nga Inspektorati i Punës, të hënën, që ishte ditë feste, ekskavatori kishte punuar dhe kishte gërmuar tokën që për pak sa nuk u shemb. Pronarë të kompanisë janë edhe vëllezërit Tripun dhe Vanço Krstevski. Edhe Vanço nuk deshi të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve.

Kompania e dytë që është investitore e ndërtesës në Qendër është “Palma Trade”, në pronësi të Lumial Xheladini. Sipas të dhënave të “Biznis rrjeti”, vitin e kaluar kjo kompani kishte fitim prej 3.4 milionë eurosh dhe ai ishte rritur për 94 përqind. Numri i telefonit që është publik nuk ekziston. Në rrjetet sociale mund të gjendet duke shitur teknikë të bardhë shtëpiake.

Zbatues i punimeve ndërtimore është kompania “Konstruksioni-Invest” nga Tetova, në pronësi të Gani Idrizit, ndërsa për mbikëqyrje ishte përgjegjëse kompania “HIGH Konstruksion Grup Gostivar”, në pronësi të Ismail Bexhetit, e cila ka llogari të bllokuar dhe vitin e kaluar kishte fituar rreth 33.000 euro.

Me kërkesë të Komunës Qendër, Fakulteti i Ndërtimtarisë ka kryer inspektim të rastit dhe ka urdhëruar që hapësira të rikthehet urgjentisht në gjendjen fillestare.

Ndërkohë, nga Komuna Qendër paralajmëruan se do të kërkojnë t’u merret licenca përgjegjësve të përfshirë në ndërtim dhe të përcaktohet përgjegjësia e mbikëqyrësit dhe zbatuesit të punimeve. Nga Qendra për Punë Sociale në Tetovë, ndërkaq, thonë se Huseinit i është marrë e drejta e nënshkrimit dhe kundër tij ka disa procedura në zhvillim.

Banorët e rrugës “Hristo Smirnenski” më 25 maj dërguan foto dhe video nga vendi i ndërtimit, ku thanë se gjatë aktiviteteve të ndërtimit ka ndodhur rrëshqitje e tokës. Sipas tyre, një ekskavator po punonte në vendin e ndërtimit edhe pse ishte ditë jo pune, dhe rreth orës 13:30 ata ndjenë dridhje, të cilën e lidhën me rrëshqitjen e tokës. Pas kësaj, autoritetet kompetente dolën në terren.

Komuna QendërNdërtimtariShkupi