Polonia e ka paralajmëruar të martën (21.10.2025) presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, kundër fluturimit të mundshëm nëpër hapësirën e saj që të arrijë në samitin e planifikuar në Hungari me homologun amerikan, Donald Trump, duke theksuar se do të detyrohej të ekzekutojë një urdhërarrest ndërkombëtar nëse lideri rus kalon nëpër territorin ajror polak, përcjell Kallxo.
Megjithatë, Bullgaria është shprehur e hapur ta lejojë Putinin të përdorë hapësirën e saj rrugës drejt Hungarisë, u citua të ketë thënë ministri i Jashtëm, Georg Georgiev.
Trump ka folur javën e kaluar për idenë që të takohet me Putinin në Budapest, teksa po mundohet të ndërmjetësojë paqen që t’i jepet fund luftës.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarrest kundër Putinit, duke e akuzuar për deportim të paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina. Rusia nuk e njeh juridiksionin e GJNP-së dhe i hedh poshtë akuzat.
“Nuk mund të garantoj se një gjykatë e pavarur polake nuk do të urdhërojë qeverinë të shoqërojë një avion të tillë për ta dorëzuar të paditurin në gjykatën e Hagës”, ka theksuar ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, për Radio Rodzinan.
Urdhërarresti i GJNP-së i detyron shtetet anëtare të gjykatës të arrestojnë Putinin nëse shkel në territorin e tyre.
“Dhe, për këtë arsye, nëse ky samit do të jetë i mirë, shpresoj me pjesëmarrjen e viktimës së agresorit, avioni do të përdorë një rrugë tjetër”, ka thënë Sikorski.