Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me protestuesit e shoqëruar të premte gjatë incidenteve. Policia bën me dije se janë vënë në pranga 10 persona teksa janë proceduar 22 të tjerë, transmeton Euro News Albania.
Policia bën me dihe se protestuesit kanë qëlluar me gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe godinës së Ministrisë së Arsimit. Në njoftim theksohet se sulmet me gurë kanë dëmtuar fizikisht 8 punonjës të policisë dhe kanë shkaktuar dëme materiale në godinë dhe në sinjalistikën rrugore.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/ Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar dje:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit, K. B., 20 vjeç; L. L., 18 vjeçe; J. Ë., 37 vjeç; M. J., 28 vjeç; R. B., 30 vjeç; E. Xh., 23 vjeç; E. B., 19 vjeç; E. V., 21 vjeç; K. S., 20 vjeç dhe K. B., 18 vjeç;
-u proceduan penalisht 22 shtetas.
Këta shtetas janë kapur duke qëlluar me gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinës së Ministrisë së Arsimit, duke dëmtuar fizikisht punonjësit e Policisë dhe duke shkaktuar dëme materiale në godinë dhe në sinjalistikën rrugore.
Gjatë tubimit të djeshëm janë dëmtuar 8 punonjës Policie. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.