Në lidhje me ndezjen e zjarreve, Policia e Maqedonisë së Veriut ka vazhduar me arrestimet nëpër vende të ndryshme të vendit, transmeton Portalb.mk.
Sot në orët e mëngjesit, në fshatin Kosovrast, Dibër, u arrestua 43 vjeçari A.H. pasi ka shkaktuar zjarr në terren të thatë. Ky zjarr është shuar brenda një ore nga Njësia territoriale kundërzjarr.
Paraprakisht, SPB Shkup ka arrestuar në Karposh një 15 vjeçar nga Shkupi për shkak ekzistimit të dyshimeve për rrezikim të sigurisë së përgjithshme, vepër e dënueshme në bazë të nenit 288 nga Kodi Penal. Ai në rrugën “Skupi” ishte kapur duke shkaktuar djegie të kabllove.
Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar gjithashtu 44 vjeçarin I.K. nga Shkupi, pasi në qesen e tij janë gjetur kabllo, pjesë metali dhe bakri të djegura.
Ndryshe, sot deri në ora 12:00 kanë qenë 6 zjarre të regjistruara, 2 aktive (në Dojran dhe Resnjë) dhe katër nën kontroll.
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Nga ana tjetër, Armata u angazhua në shuarjen e zjarrit me vendim të presidentes Gordana Siljanovska – Davkova, pas vendimit të Qeverisë së RMV-së për gjendjen e krizës 30 ditore.