Policia e Tetovës e ka ndaluar një të ri i cili dyshohet se qëndron pas kërcënimeve të rreme me bomba në shkollat e Tetovës, raporton Portalb.mk.
Policia njoftoi se më datë 27.02.2026, në ora 09:10, në fshatin Pallaticë të Tetovës, zyrtarët policorë nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, në koordinim me zyrtarët policorë të SPB Tetovë, kanë privuar nga liria personin M.R. (18 vjeç) nga fshati Pallaticë.
Ai dyshohet se në disa raste ka dërguar mesazhe elektronike në disa institucione arsimore në Tetovë, duke pretenduar se në ato institucione janë vendosur mjete shpërthyese. Pas masave të ndërmarra dhe verifikimeve të kryera, është konstatuar se të gjitha alarmet për bomba kanë qenë të rreme, kumtoi SPB Tetovë.
“Sot, me urdhër të gjykatës, është kryer kontroll edhe në shtëpinë e tij në fshat, me ç’rast janë konfiskuar disa pajisje elektronike. Personi është shoqëruar në stacionin policor dhe pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rasteve, në koordinim me prokurorin publik, ndaj tij do të dorëzohet kallëzim përkatës”, informoi Ministria e Brendshme.
Kujtojmë se ditëve të fundit u shpeshtuan kërcënimet e rreme për bomba në shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës, ndërsa dje pati alarm të rrejshëm edhe në Universitetin e Tetovës.
Nga viti 2025 e këndej janë regjistruar më shumë se 320 raste të paraqitjeve të rreme për bomba. Kërcënime nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht nga viti 2022 e këndej, por që rezultonin të rrejshme. Kërcënimet me bomba kanë qenë gjithashtu të përhapura edhe në rajon.
- LEXO: Panik në shkolla: Qindra kërcënime të rreme me bomba, MPB-ja nuk e di ende kush fshihet pas shumicës së tyre
- LEXO: Përsëri alarme të rreme për bomba në shkollat e Tetovës: Frikë, panik dhe humbje mësimi
- LEXO: Përsëri alarm bombash në shkollat e Tetovës dhe Shkupit, MPB-ja assesi t’i identifikojë kërcënuesit
- LEXO: Ministria e Brendshme nuk i ka zbardhur ende alarmet e rreme për bomba në Gjimnazin e Tetovës