Sot në Shkup është mbajtur takim pune me rastin e pesëvjetorit të anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Takimi mundësoi shkëmbimin e mendimeve për situatën aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë, përfshirë këtu edhe në lidhje me Ukrainën, transmeton Portalb.mk.
U theksua nevoja për përpjekje të përbashkëta për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive, përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të zgjeruar me të gjithë partnerët strategjikë.
“U nënvizua veçanërisht rëndësia e demonstrimit të unitetit midis aleatëve, si dhe nevoja që secili vend të marrë pjesën e tij të përgjegjësisë duke investuar në mbrojtjen e tij dhe u konstatua se këto tema do të jenë në fokus të takimeve të ardhshme dhe të Samitit të NATO-s në qershor në Hagë, ku priten vendime të rëndësishme për të ardhmen e Aleancës dhe stabilitetin e rajonit euroatlantik”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në takim morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, Elfet Ismaili, ambasadorë dhe shefa të misioneve diplomatike të vendeve anëtare të NATO-s, partnerë nga Indo-Paqësori, si dhe përfaqësues nga Ukraina dhe Bashkimi Evropian.
Ministri Mucunski e hapi takimin duke u falënderuar për ndihmën që disa shtete aleate e ofruan dhe e dhanë pas aksidentit tragjik në Koçan, gjatë të cilit u lënduan shumë të rinj. Ai theksoi se ky solidaritet paraqet një vlerë thelbësore të NATO-s dhe një konfirmim i lidhjeve të forta mes aleatëve.
Në fjalën e hapjes, ministri theksoi rëndësinë e anëtarësimit në Aleancë si përfitim strategjik dhe prioritet kyç i politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi se vendi me pjesëmarrjen e tij aktive kontribuon në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në komunitetin euroatlantik.
Mucunski theksoi se politika e jashtme e Maqedonisë së Veriut bazohet në tre shtylla kryesore: anëtarësimi në NATO si aleat i besueshëm, pajtueshmëria e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian dhe partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës – tre orientime që përputhen plotësisht me interesat kombëtare.
Ai theksoi se prania dhe angazhimi i shtuar i NATO-s dhe BE-së në rajon është i një rëndësie kyçe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, si dhe se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar të punojë së bashku me aleatët dhe partnerët në përballjen me sfidat, forcimin e qëndrueshmërisë dhe mbështetjen e proceseve integruese.
Maqedonia e Veriut sot mbushi plot 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.