Pesë ton marihuanë nga Maqedonia në Serbi, kontroll financiar në më shumë kompani

Gjithsej 19 të inkriminuar nga grupi i kontrabandës në të dy vendet

Dy procedura të kohëve të fundit nga Prokuroria e Shkupit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion më në fund kanë zbuluar detaje të reja rreth kontrabandës së pesë tonëve marihuanë nga Maqedonia në Serbi pas më shumë se gjashtë muajsh heshtjeje gjatë kohës që vijonin hetimet, transmeton Portalb.mk nga Prizma.

Njëra është marrëveshja e shpallur me dy nga të dyshuarit e deritanishëm, ndërsa tjetra është njoftimi i prokurorit për shtatë të dyshuar të rinj.

Gjykata Penale e pranoi marrëveshjen midis prokurorisë publike dhe të dyshuarve Dragan Stojanovski dhe Aleksandar Ivanovski dhe i dënoi ata me dënim me burg.

Por, në fakt, si vendimi i gjykatës ashtu edhe njoftimi i prokurorit për të dyshuar të rinj janë të ndërthurura, pasi në të parin janë shënuar edhe inicialet dhe roli i disa prej të dyshuarve të rinj.

BIRN, nga burime të përfshira në hetim, zbuloi se po kontrollohen llogaritë edhe të disa kompanive të tjera nga Maqedonia që kanë pasur lidhje afariste me pronarët ose me vetë kompaninë tashmë të inkriminuar nga Shkupi “Alfapharm”.

Konkretisht, nga aktgjykimi i Gjykatës Themelore Penale që e dënoi Stojanovin me tre vjet e gjysmë burg, u zbulua se grupi kriminal ka transportuar marihuanë përtej kufirit verior jo një herë, por pesë herë, dhe atë vitin e kaluar në muajt gusht, shtator dhe nëntor dhe për herë të fundit më 13 janar të këtij viti.

Edhe hetimi i zgjeruar përqendrohet tek transporti

Marrëveshja për pranimin e fajit për Stojanovin, i cili ka marrë pjesë në pesë transportet ose si shofer i eskortës ose si paraprijës i kamionëve në të cilët ka qenë e vendosur marihuana, zbulon edhe detaje të tjera.

Gjatë transportit të fundit në muajin janar ai ka qenë në kamionin, i cili, sipas dokumenteve, transportonte mallra tekstili për në Mbretërinë e Bashkuar. Për t’i mbuluar gjurmët e marihuanës dhe për të krijuar alibi për vendin ku ishin zhdukur mallrat tekstile i janë vënë flakët rimorkios së automjetit.

Aleksandar Ivanovski, i cili ka qenë shoferi i të pesë transporteve pastaj në polici ka raportuar se zjarri ka qenë i rastësishëm. Ai, ashtu si Stojanovi, bëri ujdi me prokurorinë dhe u dënua me tre vjet e tetë muaj burg. Ajo që është interesante është se të dy nuk kanë pasur dosje kriminale më parë.

Aktgjykimi zbulon edhe se këta dy persona kanë marrë urdhra dhe udhëzime nga person me inicialet G.I., i cili në fakt e ka koordinuar transportin dhe në katër raste u ka dhënë para që ata është dashur t’i transportojnë përsëri në Maqedoni. Për shembull, siç thuhet në aktgjykim, ai katër herë i ka dhënë Dragan Stojanovit nga 10.000 euro.

Siç mësoi BIRN nga burime të përfshira në hetim personi të cilit për momentin i dihen vetëm inicialet është një nga shtatë të dyshuarit e rinj. G.I. është shtetas i Maqedonisë, por për momentin me banim në Itali, thonë të njëjtat burime, që e sqarojnë rolin e tij.

“Ai, në një farë mënyre, ka qenë në hierarki më lartë se Stojanovski dhe Ivanovski. Ai u ka dhënë atyre udhëzime për atë se çfarë automjete të blejnë, cilën rrugë ta ndjekin, e kështu me radhë.”

I dyshuari tjetër ka pasur rol të ngjashëm, por edhe ai për momentin nuk ndodhet në vend sepse po vuan dënim me burg në Kosovë, edhe atje për rast të lidhur me drogën.

Personat e tjerë të rinj në hetim janë të disponueshëm. Përndryshe, shtatë janë shtetas të Maqedonisë dhe lidhen ekskluzivisht me transportin e drogës.

Përplasjet politike nuk janë në hetime

Në fillim të vitit kur policia serbe njoftoi se kishte zbuluar pesë ton marihuanë në parcelë në fshatin Konjuh në afërsi të Krushevcit, dominuan akuzat politike në të dyja anët e kufirit.

Në Serbi fokusi ishte te përkatësia partiake e njeriut që ka bërë pranimin dhe ruajtjen e marihuanës në afërsi të Krushevcit, e që ka qenë këshilltar komunal nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, ndërsa në Maqedoni partia në pushtet përmes konferencave të shpeshta për shtyp aludonte se kanabisi i kontrabanduar vinte nga plantacionet e njerëzve të afërt me ish-kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa ministri i punëve të brendshme paralelisht sekuestronte marihuanën nga kultivuesit e tjerë.

Nga ana tjetër, opozita kërkonte përgjegjësi nga institucionet për kalimin e papenguar të drogës në kufi.

Për momentin nuk ka as informacion zyrtar dhe as jozyrtar në lidhje me përfshirjen e ish-politikanëve ose politikanëve aktualëve, institucioneve ose plantacioneve të tjera që prodhojnë kanabis mjekësor.

Gjashtë muaj më vonë, përmes aktgjykimit të publikuar dhe informacioneve shtesë nga hetimi të cilat BIRN i siguroi javën e kaluar, mund të konkludohet se fokusi i dy prokurorive, si në Maqedoni ashtu edhe në Serbi, është shumë më i ngushtë. Ato po merren me investitorët serbë në kompaninë “Alfapharm”, ku është kultivuar kanabisi mjekësor, dhe me qytetarët e Maqedonisë përgjegjës për logjistikën e kontrabandimit.

Hetimi financiar në vijim e sipër

Prokuroria e Beogradit më 21 korrik ngriti akuzë kundër gjashtë personave – Aleksandar Mijalloviq, si organizator, Ivan Dragniq dhe Robert Zhivkoviq, të cilët janë bashkëpronarë të “Alfapharm”, Nebojsha dhe Rade Spasojeviq, në parcelën e të cilëve në Konjuh u gjet marihuana, dhe Urosh Mlladenovski, i cili ka bërë distribuimin e drogës në Serbi. Aktakuza tani pret konfirmim nga gjykata nëse ka prova të mjaftueshme për ta filluar procesin.

Në Maqedoni edhe pse dy të dyshuar bënë marrëveshje me prokurorinë dhe e pranuan fajësinë ende nuk ka aktakuzë për të gjithë rastin. Menjëherë pas zbulimit në shkurt të këtij viti u dyshuan gjashtë persona, të gjithë të lidhur me transportin. Në mesin e tyre i vetmi, që është edhe bashkëpronar i “Alfapharm”, nga ambientet e të cilit është nxjerrë marihuana e kontrabanduar, është Predrag Brkoviq.

Sipas prokurorisë ai e ka organizuar transportin. Nga gjashtë të dyshuarit, dy tashmë janë dënuar në marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe me shtatë të dyshuarit e rinj për momentin në Maqedoni ka gjithsej 11 të dyshuar.

Informacionet të cilat i siguroi BIRN tregojnë në kuadër të hetimeve më të gjera financiare autoritetet në Maqedoni kanë kryer ekspertizë edhe të dokumenteve të kontabilitetit të “Alfapharm”. Deri më tani është vërtetuar se përgatitja e ngarkesës më të madhe ka filluar që në muajin nëntor të vitit 2025.

Atëkohë, kompania me seli në Shkup “CBD Medplant” ka blerë gjithsej 8.832 kilogramë lule kanabisi të tharë nga Strumica, për çka ka pasur edhe marrëveshje për bashkëpunim teknik, që në një mënyrë është praktikë e shpeshtë në biznesin e marihuanës mjekësore në Maqedoni.

Burime të përfshira në hetim për BIRN thanë se po kontrollohen llogaritë e “CBD Medplant” dhe të tre kompanive të tjera – “Lighting Lux”, “Green Life” dhe “Life Plant”.

BIRN, në një seri hulumtimesh të mëparshme, ka zbuluar lidhje midis grupit serb dhe “Lighting Lux” dhe “Green Life”.

Sipas hulumtimit i dyshuari kryesor në Serbi, Mijajlloviq, në vitin 2021 përmes kompanisë serbe “Bionaturals” u bë bashkëpronar i “Green Life” me seli në Vallandovë. Dy javë pas publikimit të tekstit Qeveria ia revokoi licencën e kanabisit kësaj kompanie.

Ivan Dragniq deri në fund të vitit 2025 ka qenë drejtor i një kompanie krejtësisht tjetër për kultivimin e kanabisit mjekësor, “Lighting Lux” në Strumicë, dokumentet e së cilës gjithashtu po kontrollohen.

Kontrabandë Trafikim me drogëMarihuana KanabisProkuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe KorrupsionitProkuroria Themelore Publike (PTHP) RMVSerbia