Shkencëtarja irakiane, dhe muzikante në kohë të lirë, Mirna Ayshoa thotë se lira për të jetuar siç dëshiron ajo dhe për të bërë atë që dëshiron, janë përkufizimi i jetës së saj në Amerikë, raporton Zëri i Amerikës.
“Situata e grave në Irak është krejtësisht ndryshe me Shtetet e Bashkuara”.
Në vitin 2015 ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara në moshën 22 vjeçare pasi përfundoi fakultetin në Irak. Në vitin 2017, ajo mori masterin për biologji molekulare dhe qelizore nga Universiteti Shtetëror i Kolorados. Më pas bëri stazh për specialiste të instrumenteve laboratorike, duke testuar cilësinë dhe efikasitetin e pajisjeve mjekësore dhe mjeteve të tjera. Më pas u punësua si specialiste e kësaj fushe.
“Më pëlqeu shumë teknologjia dhe nuk vura re shumë gra që bënin një gjë të tillë”, thotë Mirna për Zërin e Amerikës.
E dhënë pas muzikës, ajo gjeti lirinë për të marrë pjesë në koncerte dhe festivale si xhezbandiste, një tjetër profesion për të cilin thotë se do të ishte i pamundur në Irak.
“Imagjino një baterist si unë në Irak. Do të më akuzonin për besime të caktuara”.
8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Grave, që vlerëson arritjet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave. Zëdhënësja e Kombeve të Bashkuara për gratë, Paloma Escudero, thotë duhet bërë më shumë për të përmirësua jetën e grave.
“Ekziston një hendek i madh për barazinë e grave pothuajse në çdo sferë. Si në luftërat dhe krizat me të cilat përballet bota, përfshirë korona virusin, gratë janë ato që preken fillimisht dhe më rëndë”, thuhet në deklaratën e zonjës Escudero.
Zonja Ayshoa është vullnetare me organizata jofitimprurëse që i ndihmojnë gratë dhe fëmijët refugjatë të vendosen në Shtetet e Bashkuara.
Ajo u njoh me kuzhinieren Tatyana Stratilat, refugjate nga Ukraina që u largua nga vendi i saj pas agresionit të Rusisë. Zonja Ayshova i dha asaj disa këshilla për imigracionin ndërsa zonja Stratilat ndau me të kuzhinën ukrainase.
Jetët e grave në Ukrainë dhe Irak janë të ndryshme, por lufta e tyre për karriera të suksesshme jo tradicionale është universale, thotë ukrainasja Stratilat.
“Në Ukrainë, si dhe këtu, nuk ka shumë kuzhiniere femra. Shumica janë burra. Nuk ishte e lehtë të provosh të kundërtën”, thotë për Zërin e Amerikës refugjatja nga Ukraina.
Tatyana thotë se është e inkurajuar që gratë nga vende të ndryshme mbështesin dhe mësojnë nga njëra-tjetra.
“Pas emigrimit në Shtetet e Bashkuara kam filluar të punoj si kryekuzhiniere. Jap mësime për kuzhinën në Universitetin Shtetëror të Kolorados dhe për restorantet lokale. Po ashtu u mësoj shumë komuniteteve kuzhinën ukrainase si dhe jam instruktore private. Ndarja e pasionit të gatimit me gra nga vende të ndryshme të botës më ka sjellë shumë kënaqësi”.
Falë përhapjes së teknologjive novatore, fusha profesionale e zonjës Ayshova po zgjerohet. Ajo thotë se është e lumtur që ka gjetur profesionin e duhur.
“Kam shumë pasion për hapësirën dhe kam fatin të bashkëpunoj me NASA-n dhe SpaceX në zgjedhjen e instrumenteve të duhura laboratorike për eksperimente të ndryshme. Aktualisht, detyra ime është analizimi i rrezatimit për gjithçka që dërgohet në hapësirë apo sillet në Tokë”, thotë zonja Ayshova.
Një raport i vitit 2024 nga Forumi Ekonomik Botëror tregon se do të duhen 134 vjet, afërsisht pesë gjenerata, për të arritur barazinë e plotë gjinore në katër dimensione kryesore: mundësitë dhe pjesëmarrja ekonomike, arritjet arsimore, shëndetin dhe mbijetesën, si dhe fuqizimin politik.