Mbrëmë vonë në Ohër është organizuar një përkujtim joformal pas vdekjes së papritur të ish-ministrit të parë të Skocisë Aleks Salmond, transmeton Portalb.mk.
Në përkujtimore mori pjesë edhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila shprehu ngushëllimet e saj për politikanin skocez tashmë të ndjerë.
“Ngushëllime të sinqerta me rastin e vdekjes së ish-ministrit të parë të Skocisë, Aleks Salmond, i cili vdiq dje në Ohër gjatë Forumit të Dytë për Diplomaci Kulturore, i cili u mbajt në bashkëorganizim të kabinetit të ishpresidentit maqedonas Gjorge Ivanov, së bashku me Institutin për Diplomaci Kulturore nga Berlini, Qyteti i Shkupit dhe Qendra Ndërkombëtare e Aleancës së Qytetërimeve”, njoftuan nga zyra e presidentes.
“Mendimet e mia janë me familjen dhe të dashurit e tij në këtë moment të vështirë. U prehtë në paqe”, shtoi Siljanovska Davkova.
Ish-presidenti Ivanov ka postuar një video në rrjetet sociale nga fjalimi i fundit i Salmondit në konferencë, duke shprehur ngushëllime për vdekjen e tij.
“Me pikëllim dhe mosbesim të thellë njoftojmë vdekjen e Aleks Salmond, ishministrit të parë të Skocisë”, shkroi Ivanov.
“Mendimet tona janë me familjen dhe të dashurit e tij në këtë moment të vështirë. U prehtë në paqe”, shtoi Ivanov.
Ish-ministri i Parë i Skocisë Aleks Salmond ka ndërruar jetë dje papritur në moshën 69-vjeçare në Ohër, ku po merrte pjesë në Forumin e dytë për Diplomaci Kulturore, të cilën e bashkëorganizoi zyra e ish-presidentit të Maqedonisë së Veriut Gjorge Ivanov.
Ministria e Brendshme e ka konfirmuar rastin, ndërsa pritet sot të dalin me informata më të detajuara.
Ai u kujtua nga politikanët britanikë dhe skocezë.
Aleks Salmond shërbeu si Ministër i Parë i Skocisë nga viti 2007 deri në vitin 2014.