Peripeci të reja në kufij: Brukseli do ta ndryshojë sistemin e ri EES, pranoi se ka probleme

Bashkimi Evropian pranoi se sistemi i ri digjital për regjistrimin e hyrjes dhe daljes (EES) po përballet me probleme teknike, pasi aeroportet dhe kompanitë ajrore paralajmëruan për radhë të gjata, vonesa të fluturimeve dhe humbje të lidhjeve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite në Irlandë, deklaroi se Komisioni po punon në mënyrë aktive me shtetet anëtare për zgjidhjen e problemeve, transmeton Politico.

“Po punojmë me shtetet anëtare për t’i zgjidhur këto probleme teknike”, deklaroi Von der Leyen.

Sistemi EES, i cili është bërë i detyrueshëm, parashikon që shtetasit e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, ndër të cilat është edhe Maqedonia, gjatë hyrjes dhe daljes nga Bashkimi Evropian t’i nënshtrohen kontrollit biometrik, përkatësisht skanimit të gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografimit të fytyrës.

Sipas shoqatave evropiane të aeroporteve ACI Europe, IATA dhe Airlines for Europe, që nga vendosja e sistemit, koha e pritjes në kontrollet kufitare është rritur ndjeshëm dhe gjatë pikut të sezonit arrin deri në pesë orë.

Në një letër të hapur, ato paralajmërojnë se miliona udhëtarë janë prekur nga vonesat, humbja e lidhjeve të fluturimeve dhe problemet operative, për këtë arsye i kërkuan Komisionit Evropian t’u mundësojë shteteve më shumë fleksibilitet dhe, aty ku është e nevojshme, ta pezullojnë përkohësisht EES gjatë muajve korrik dhe gusht.

Nga Komisioni Evropian më herët pretendonin se ndikimi i sistemit është i kufizuar dhe se regjistrimi i një udhëtari zgjat rreth 70 sekonda. Megjithatë, në një numër të madh aeroportesh, përfshirë edhe aeroportin romak “Fiumicino”, zyrtarët kufitarë ende i fusin të dhënat manualisht, gjë që e ngadalëson edhe më tej procedurën.

Deri më tani, vetëm Suedia dhe Portugalia kanë aktivizuar aplikacionet e posaçme që mundësojnë përpunim më të shpejtë të udhëtarëve, ndërsa disa aeroporte dhe porte kanë ndërprerë përkohësisht mbledhjen e të dhënave biometrike gjatë periudhave me fluksin më të madh për të zvogëluar radhët.

Pavarësisht kritikave, Komisioni Evropian këmbëngul se sistemi ka një rol të rëndësishëm në siguri. Sipas të dhënave të Komisionit, që nga vendosja e tij deri më tani janë identifikuar rreth 1.000 persona që paraqisnin rrezik për sigurinë e Bashkimit Evropian, ndërsa përmes EES kanë kaluar tashmë rreth 110 milionë udhëtarë.

Sistemi EES është vendosur me qëllim të parandalimit të keqpërdorimit të dokumenteve të udhëtimit dhe tejkalimit të qëndrimit të lejuar në zonën Shengen, duke zëvendësuar vulat tradicionale në pasaporta me regjistrim digjital.

Bashkimi Evropian (BE)ETIAS - EES