Përfundoi intervistimi i kandidatëve për kryetar të Antikorrupsionit, votimi në komisionin parlamentar do të zhvillohet të premten

Komisioni parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime sot përfundoi intervistat me kandidatët për zgjedhjen e kryetarit të ri të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Pesë kandidatë ishin në rend sot. Fillimisht për këtë pozicion aplikuan 13 persona, por pas përzgjedhjes administrative, mbetën 10, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i komisionit përzgjedhës, Bojan Stojanoski, njoftoi se të premten do të mbahet seancë e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, në të cilën duhet të votohet kandidati sipas vlerësimeve të anëtarëve të komisionit.

Procesi për zgjedhjen e një kryetari të ri të KSHPK-së vazhdon pas zgjedhjeve lokale, pasi kryetarja e mëparshme Tatjana Dimitrovska dha dorëheqjen për shkak të dyshimeve për përfshirje në rastin “Aditiv”. Kryetari i ri duhet të përmbushë kërkesa të rrepta për arsim, përvojë dhe integritet, duke përfshirë të paktën 10 vjet përvojë profesionale në fushat që lidhen me luftën kundër korrupsionit.

Komisioni Evropian në Raportin e ri për Maqedoninë, tha se nuk ka asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, kurse aktakuza e ngritur ndaj Presidentes së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), e cila çoi në dorëheqjen e saj, ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e institucionit.

“KSHPK duhet të ofrojë në mënyrë proaktive udhëzime politike për të parandaluar korrupsionin, për të zbuluar dhe raportuar rastet e dyshuara të korrupsionit dhe për të rritur efikasitetin e saj në verifikimin e deklaratave të pasurisë dhe mbikëqyrjen e financimit të fushatave zgjedhore. Paralelisht, rekomandimet e saj duhet të ndiqen në mënyrë efektive”, thuhet në raport.

KSHPK mbeti pa kryetare pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovskës, e cila dha dorëheqjen pas akuzave nga Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar për dy vepra penale: zbulimin e sekreteve zyrtare ish-drejtorit të TEC Negotina, Nebojsha Stojanovi1, i akuzuar në “Aditiv”, dhe falsifikim kompjuterik, sepse një auditor nga Enti Shtetëror i Revizionit kaloi test certifikate sekreti shtetëror në emër të saj.

Komisioni për Antikorrupsion RMVKorrupsion - RyshfetParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutTatjana Dimitrovska Antikorrupsioni