Parlamenti Evropian sot pritet të votojë raportet për përparimin e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi në seancën plenare të djeshme në Strasburg raportuesit prezantuan draft-rezolutat e raporteve vjetore për progresin e tyre, transmeton Portalb.mk.
Raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, tha se Ballkani Perëndimor ka qenë dhe vazhdon të jetë “fushë loje për fuqi të huaja”.
“Po, mund të themi se vendi nuk i zbatoi reformat aq shpejt sa ishte e mundur, por duhet të pranojmë gjithashtu se edhe ne në BE kemi dhënë premtime që nuk i kemi përmbushur”, tha Waitz.
Sipas Waitz, edhe pse reformat në vendet kandidate nuk po zbatohen me ritmin e dëshiruar, përgjegjësi ka edhe Bashkimi Evropian.
Ai shtoi se vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, kanë vullnet për të zbatuar reformat e nevojshme dhe se kjo duhet të shpërblehet përmes integrimit të pjesshëm në tregun evropian, përfitimeve në roaming dhe përfshirjes në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave, me qëllim ruajtjen e motivimit.
Në debat mori pjesë edhe eurokomisionerja për zgjerim Marta Kos e cila theksoi se ka ardhur koha që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në BE, për të korrigjuar në njëfarë mënyre gabimet e bëra në të kaluarën, kur rrethanat ishin ndryshe.
Deputetët bullgarë u fokusuan te djegia e automjeteve të Ambasadës në Shkup
Diskutimet e eurodeputetëve bullgarë u fokusuan te djegua e automjeteve të Ambasadës bullgare në Shkup dhe çështja e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Duhet të ketë reagim të fortë nga Parlamenti Evropian ndaj djegies së automjeteve diplomatike bullgare në Maqedoni”, kërkoi eurodeputeti bullgar Ilhan Kyuçyuk.
Eurodeputeti Andrey Kovaçev shprehu keqardhje që, sipas tij, Maqedonia po e bllokon vetveten duke kërkuar zgjidhje kreative për të mos përmbushur detyrimet e marra.
“Është e papranueshme që faji për mungesën e progresit t’i hidhet Bullgarisë. Kjo politikë nxit gjuhë urrejtjeje, intolerancë dhe diskriminim ndaj bullgarëve, gjë që është e papajtueshme me vlerat evropiane. Djegia e automjeteve të Ambasadës bullgare në Shkup është një akt i trishtueshëm, rezultat i urrejtjes që mbillet nga politikanë, media dhe rrjete ndikimi nga shtete të tjera”, tha Kovaçev.
Ai iu drejtua edhe eurodeputetit, njëkohësisht raportuesit për RMV-në, Thomas Waitz-it, duke thënë se ishte i befasuar nga përpjekja e raportuesit për të hequr disa nga kërkesat ndaj Maqedonisë së Veriut që burojnë nga korniza negociuese.
“Të dy duam ta mbështesim dhe inkurajojmë Maqedoninë e Veriut, por ta motivojmë që të mos përmbushë detyrimet që ka marrë përsipër nuk është e dobishme”, tha ai.
Eurodeputetja bullgare Rada Laykova u bëri thirrje institucioneve evropiane të tregojnë se si do t’i mbrojnë vlerat demokratike dhe të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas eurodeputetit Stanislav Stojanov, djegia e automjeteve diplomatike bullgare në Shkup tregon se “është e qartë se Maqedonia nuk mund të garantojë sigurinë e diplomatëve të vendeve anëtare të BE-së”.
Në debat morën pjesë edhe eurodeputetë të tjerë.
Kujtojmë se marrëdhëniet me Sofjen u ftohën në vitin 2020, kur Sofja vuri veton në kornizën negociuese për vendin për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.
Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis, Maqedonia e Veriut pranoi të shtonte komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, përveç atyre ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me Bullgarinë që lëshoi një deklaratë duke shprehur qëndrimin e saj për këtë çështje.
Me një kompromis të tillë, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të pranimit. Që të mbahet e dyta dhe që të fillojnë hapjet e kapitujve, parlamenti i Maqedonisë duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese. Qeveria aktuale në Shkup, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, e cila u formua në qershor 2024, është e mendimit se nuk do të hyjë në një proces të tillë derisa të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe nga pala bullgare.
Paraprakisht në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan Marrëveshje për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.