Pazar i dyshimtë në Tetovë, prona që u ble për 7 mijë euro u rishit për 5 milionë euro, alarmoi BDI-ja

Këshilltarët e Komunës së Tetovës që vijnë nga BDI-ja kanë reaguar sot në lidhje me zhvillimet e fundit që po zhvillohen në hapësirat e “Monopolit” në hyrje të Tetovës, transmeton Portalb.mk.

“Aty ku në vitin 1944 u grumbulluan mbi 10 mijë shqiptarë dhe mijëra të tjerë u masakruan, sot gërmohet pas asnjë kontroll ligjor, pa u përkujdesur fare për historinë e qytetit tonë”, deklaroi Liridon Disha nga BDI-ja.

Ai theksoi se krimi dhe korrupsioni s’kanë të ndalur, duke vlerësuar se për interesa personale e shitën historinë më të dhimbshme të Tetovës.

“Monopoli i vjetër i Tetovës, një vend i njohur për historinë e tij për shqiptarët është shndërruar në kantier ndërtimi për ndërtesa banimi, kjo përmes pazari të dyshimtë dhe korruptiv ku prona u ble për vetëm 7 mijë euro u rishit për 5 milionë euro”, deklaroi Disha.

Ata kërkojnë urgjentisht ndërprerje të punimeve pa praninë e autoriteteteve shtetërore.

Ka qenë në dorë të udhëheqësisë aktuale të komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo, kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pas ri-destinimit në zonë për banim kolektiv.

Kujtojmë që hulumtimi i Portalb-it zbuloi se investitorit drita e gjelbër për ndërtim të banesave në një procedurë jotransparente i ishte dhënë nga shumica aktuale e Këshillit Komunal, e përbërë nga VLEN-VMRO. Aktivistët kritikojnë.

Portalb-i bisedoi edhe me pronarin aktual të ish-Monopollit, ai e konfirmoi se aty pritet të ndërtohen katër objekte për banim ndërsa theksoi se gjithë hapësirën e ish-Monopollit e ka blerë nga ‘Tetovo Tabak’ për afër gjashtë milionë euro. Ai e ka blerë dhe tokën përreth me çmim më të lirë katër ditë para se Këshilli Komunal të ndryshojë destinimin nga zonë industriale në zonë për banim kolektiv.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Ish-MonopolliKomuna e TetovësLegalizim i ndërtimeve pa leje - ilegaleLigji për ndërtime pa leje - ilegaleNdërtime pa leje - ilegaleNdërtimtariTetova