Pasi bëri bujë me emrin e shtetit, presidentja Siljanovska Davkova thotë se do ta respektojë emrin kushtetues të RMV-së

Pas reagimit të opinionit vendas dhe ndërkombëtar, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova përmes një kumtese për media tha do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues, transmeton Portalb.mk.

“Në daljet e saj publike, presidentja Siljanovska ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje dhe vetëidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane.  Sipas Kushtetutës, të përgatitur nga shërbimet e Kuvendit, betimi solemn është nënshkruar duke përdorur emrin kushtetues”, thuhet në kumtesën e Siljanovskës.

Më tej në njoftimin e Siljanovkës thuhet se institucionet maqedonase në 5 vitet e fundit pothuajse plotësisht i kanë përmbushur obligimet e tyre nga Marrëveshja e Prespës dhe presidentja pret që të gjithë partnerët maqedonas të respektojnë obligimet bilaterale dhe shumëpalëshe që i kanë marrë ndaj vendit.

Kujtojmë se derisa kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski, lexonte deklaratën solemne me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut presidentja Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit, nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedoni e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës, por e përdori vetëm emrin “Maqedoni”.

“Deklaroj se postin e presidentit të Maqedonisë do ta kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi. Do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe do ta mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë”, tha në betimin solemn Siljanovska-Davkova.

Ajo madje që në fushatën parazgjedhore kishte sqaruar që do të mundohet të shmang emrin e ri zyrtar të shtetit, për çka kishte reaguar edhe pala greke. Ky hap i Siljanovskës dhe i partisë nga e cila ajo u mbështet, VMRO-DPMNE, ka hasur në reagim të ashpër të Greqisë dhe opinionit ndërkombëtar, duke ia kujtuar se vendi duhet ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, nëse dëshiron të ecë përpara në rrugën eurointegruese.

Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2017 socialdemokratët qeverisës arritën një marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Ndryshimi i emrit në Maqedoni e Veriut solli edhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe me këtë edhe hapjen e rrugës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.

Kjo situatë, mund t’i hapë vendit probleme të mëtejshme me Bullgarinë, me të cilën edhe ashtu ka marrëdhënie herë pas here të tensionuara.

Reagime ndaj betimit të presidentes Siljanovska – Davkova pasi anashkaloi emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut”

“Filipikat” e Kathimerini-t grek ndaj presidentes së RMV-së

Eurointegrime Negociata RMV-BEGordana Siljanovska DavkovaMarrëveshja e Prespës (me Greqinë)Marrëveshja me Bullgarinë