Pas shumë zvarritjesh, Komuna e Tetovës e ka marrë në pronësi çerdhen në oborrin e shkollës “Kirili dhe Metodij”

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dje në një deklaratë për shtyp pohoi se objekti i ri i çerdhes “Rinia”, që gjendet në oborrin e shkollës “Kirili dhe Metodij” në Tetovë, para dy ditëve është marrë në pronësi të komunës dhe së shpejti do t’i dorëzohet institucionit të çerdhes së qytetit, shkruan Portalb.mk.

Objekti i çerdhes në oborrin e shkollës “Kirili dhe Metodij” është premtuar prej vitit 2019 dhe pas një maratone ngecjesh dhe arsyetimesh më në fund është përfunduar ndërtimi, është kyçur në rrjetin e ujësjellësit dhe sistemit të shpërndarjes së rrymës.

“Ka pengesa, të cilat ishin mes institucioneve, mes qeverisë, vetë ministrive, domethënë Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe (Ministrisë) së Financave. Përfundimisht është gjetur një zgjidhje, por edhe kjo zgjidhje është gjetur në asistim të Komunës. Kjo nuk ka qenë përgjegjësi e Komunës, ka pasur disa punë të cilat nuk janë bërë nga kompania, të cilat nuk kanë qenë të parapara me Kontratën që e ka pasur kompania. Ne kemi pasur takim edhe me MPPS edhe me Ministrinë e Financave, fatkeqësisht çdonjëra i ikte përgjegjësisë për realizimin e atyre investimeve shtesë” thotë për Portalb.mk Bilall Kasami.

Kasami tha se pardje objekti është marrë në pronësi të Komunës dhe në mbledhjen e radhës së Këshillit të Komunës, objekti do t’i jepet institucionit të çerdhes së qytetit, “Rinia”.

“Ishim të detyruar ne si komunë edhe në këtë rast të intervenojmë që ato punë shtesë t’i marrim përsipër ne t’i realizojmë. Kështu që ata, një pjesë e atyre punëve janë realizuar, një pjesë janë në realizim e sipër. Ne dje e kemi marrë në dorëzim çerdhen dhe besojmë që shumë shpejtë në mbledhjen e radhës të Këshillit do t’i jepet edhe institucionit të çerdhes së qytetit dhe do të mundësohet edhe nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale punësimi i kuadrit adekuat, sepse edhe kjo shkon me pëlqim të ministrisë”, deklaroi Kasami.

Objekti i çerdhes u përfundua në prill të këtij viti, por për shkak se Komuna e Tetovës nuk e kishte regjistruar në Kadastër, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) deklaroi se nuk mund të vazhdonte me procesin. Më 1 shtator ky obligim u përmbush, por nuk pat më ndonjë përparim.

Pas përpjekjeve të shumta të Portalb.mk për të kuptuar se ku ka ngecur situata, MPPS dhe Komuna hodhën përgjegjësinë mbi Ministrinë e Financave, kurse Ministria e Financave mbi mbikëqyrësin e ndërtimeve, firmën EuroConsult. Firma EuroConsult nuk pranoi të japë deklaratë zyrtare pa u konsultuar me Ministrinë e Financave, kurse më vonë nuk pranoi të japë asnjë deklaratë, me arsyetimin se nuk u lejohet sipas rregullave, gjegjësisht sipas marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve.

Ministria e Financave ka refuzuar kërkesën e Portalb.mk për qasje në të dhëna me karakter publik, nëpërmjet të cilës është kërkuar marrëveshja e lartpërmendur.

2 nëntor Bilall Kasami u takua me Ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençeska, për të diskutuar punën e çerdheve në Tetovë, kurse më 7 nëntor Komuna e Tetovës u bëri thirrje qytetarëve të propozojnë emër për çerdhen e re.

Kasami tha se nuk është në dijeni për atë se çfarë emri është përzgjedhur. Deklaratën e plotë mund ta ndiqni më poshtë nga minuta e 21.

Bilall KasamiÇerdhe Kopsht fëmijësh