Pas disa muajsh bllokadë, u realizua donacioni prej 500 mijë dollarësh i faktorit 8 për hemofilinë

Instituti i Mjekësisë Transfuzive ka marrë donacion prej 1,2 milionë njësish të faktorit 8 për hemofili, me vlerë rreth 500 mijë dollarë. Donacioni vjen pas disa muajsh bllokadë për shkak të problemeve administrative dhe burokratike, transmeton Portalb.mk.

“Falë këmbënguljes së Shoqatës së Hemofilikëve dhe Institutit, u mundësua tejkalimi i të gjitha pengesave dhe që nga kjo javë ilaçi është në dispozicion të Institutit, ndërsa së shpejti do të jetë në dispozicion edhe për pacientët. Ky donacion do ta përmirësojë ndjeshëm gjendjen e grupit të pacientëve të prekur nga hemofilia”, tha ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Ai konfirmoi se donacioni vjen nga SHBA-ja, për shkak të së cilës edhe u vonua realizimi i tij.

“Meqë ilaçi nuk ka regjistrim evropian, na nevojiteshin certifikata të veçanta të cilësisë dhe kjo tani është përfunduar”, tha Klekovski.

Nga Instituti i Mjekësisë Transfuzive theksuan se pacientët me hemofili janë rregullisht të mbuluar me terapi, ndërsa ky donacion nevojitet për rastet kur planifikohet ndonjë ndërhyrje kirurgjikale.

Në këtë drejtim, Klekovski tha se është e nevojshme të funksionalizohet regjistri i pacientëve me hemofili, në mënyrë që të mund të paralajmërohen dhe monitorohen situatat e jashtëzakonshme, si vizitat te dentisti dhe planifikimi i shtatzënisë.

Ministria e Shëndetësisë (MSH)Sasho Klekovski