Parlamentare 2024: Çfarë ofrojnë VMRO, LSDM, E Majta dhe Znam për barazinë gjinore?

Për pak ditë qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të votojnë për përfaqësuesit e tyre në Parlament. Derisa partitë po zhvillojnë aktivitetet e tyre të fundit për t’i bindur qytetarët që t’i votojnë, Portalb.mk analizoi programet zgjedhore të partive maqedonase e çfarë premtojnë në drejtim të barazisë gjinore. Konkretisht të koalicionit “Për Ardhmëri Evropiane” të udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë së Veriut (LSDM), koalicionit “Maqedonia jote” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, partisë E Majta (Levica) si dhe partisë ZNAM.

VMRO-DPMNE ja e fokusuar në parandalimin dhe masat kundër dhunës gjinore

VMRO-DPMNE në programin e saj zotohet për një serrë masash në drejtim të barazisë gjinore, duke përfshirë dhunën ndaj grave, mbështetjen ndaj viktimave të dhunës, forcimin e pozitës së grave në shoqëri, në sport dhe shumë të tjera.

VMRO-ja zotohet për këto pika:

  • Zero tolerancë për format e ndryshme të dhunës ndaj të cilave gratë ekspozohen. Në këtë drejtim, ne do të mbështesim aktivisht masat për mbrojtjen e grave viktima të dhunës,
  • Hapja e dhjetë qendrave të reja për kujdesin dhe mbështetjen e grave viktima të dhunës me bazë gjinore.
  • Grup ndërinstitucional i Qeverisë që do të punojë për të mbrojtur gratë nga të gjitha format e dhunës me bazë gjinore dhe viktimat e dhunës në familje duke forcuar legjislacionin.
  • Përfaqësimi adekuat i grave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera nga sektori i inteligjencës-sigurisë do të garantojë respektimin e vërtetë të parimeve të barazisë gjinore.
  • Ne do të ofrojmë mbështetje financiare shtesë për klubet sportive.
  • Masa dhe politika për punësim dhe vetëpunësim me qëllim fuqizimin ekonomik të grave përmes projekteve për zhvillimin e sipërmarrjes së grave.
  • Program për këshillimin psikologjik të grave gjatë gjithë shtatzënisë.
  • Reduktimi i diferencave në paga midis burrave dhe grave.
  • Zgjidhje sistematike me të cilën gratë fermere do të mund të ushtrojnë të drejtën e pensionit dhe pushimit të lehonisë.
  • Përfshirja në edukim e vajzave që nuk kanë qasje në të dhe mbështetja e tyre.
  • Kujdes shëndetësor parandalues ​​të përballueshëm, efektiv për të parandaluar sëmundjet malinje te gratë.
  • Qasje në informacion për popullatën e përgjithshme, dhe veçanërisht për grupet e cenueshme sociale të popullsisë për HIV/AIDS dhe infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme, për abortin, për infertilitetin, për sëmundjet malinje të gjirit dhe mitrës.
  • Hapja e qendrës moderne për fekondim in vitro në Klinikën Universitare për Gjinekologji Obstetrike.

LSDM-ja premton përfaqësim të barabartë në politikë

LSDM-ja zotohet për krijimin e masave për inkurajimin e barazisë gjinore përmes fuqizimit ekonomik dhe pavarësisë së grave.

”Barazia gjinore mbetet imperativi ynë politik, sepse secili është i vlefshëm dhe meriton të respektohet, dëgjohet, respektohet, mbrohet dhe paguhet institucionalisht. Ne kemi hartuar Ligjin e ri për Barazinë Gjinore, i cili do të themelojë Sekretariatin për Barazi Gjinore”, thuhet në programin e LSDM-së.

LSDM premton këto pika:

  • Kodi i ri Zgjedhor me parimin 50% – 50% të të dyja gjinive në listat e deputetëve dhe këshilltarëve në komuna, duke obliguar 30% kandidate gra për kryetare komune.
  • Përmirësim i mbrojtjes ligjore të punëtoreve shtatzëna.
  • Politikë bursash për vajzat në shkencat STEM.
  • Rritja e mbulimit të grave me ekzaminime parandaluese të parashikuara nga Programi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje.
  • Edukim seksual gjithëpërfshirës.
  • Futja e të paktën një kontraceptivi në listën pozitive.
  • Rritja e mbështetjes për organizatat civile që ofrojnë shërbime për gratë, viktima të dhunës.
  • Rritja e mbështetjes për pjesëmarrjen e grave në programet e mbështetjes financiare në bujqësi.
  • Përfshirja e barazisë gjinore në të gjithë kurrikulat.
  • Vazhdimi i aktiviteteve për rritjen e barazisë gjinore në sport në 50%, e cila aktualisht është në 32%.
  • Mbrojtja e grave nga të gjitha format e dhunës me bazë gjinore.

LSDM mes tjerash zotohet edhe për mundësi të barabarta në tregun e punës, njohje e punës së grave amvise “të pa paguar”, përfaqësimi i barabartë i grave në pozitat vendimmarrëse dhe të tjera.

Levica me feminizëm të majtë progresiv

E Majta premton promovimin e feminizmit të majtë progresiv dhe promovimin e të drejtave të grave në shoqëri, duke kapërcyer moralin patriarkal, prapambetjen kulturore dhe qëndrimet mizogjene.

E Majta premton edhe këto pika:

  • Forcimi i personelit të departamentit të posaçëm që ndërhyn në rastet e dhunës në familje, gjinore dhe krimeve me bazë gjinore.
  • Masa të ndjeshme gjinore dhe politika të synuara që do të rrisin ndjeshëm të drejtat e grave amvise, duke njohur të ashtuquajturat “punë e padukshme” në shtëpi dhe kujdes për familjen.
  • Mbrojtje speciale e lehonisë për gratë që punojnë: dyfishimi i pushimit të lehonisë (nga 9 në 18 muaj).
  • Lehtësimi i qasjes në kredi pa interes për gratë artizanale.
  • Pushimi menstrual nga puna dhe lehtësimi i taksave për produktet e higjienës menstruale dhe shëndetit të grave.
  • Masa të ndryshme lehtësuese për gratë fermere.

Partia ZNAM në program nuk përmend asnjë pikë për barazinë gjinore.

Portalb.mk ka publikuar edhe atë se çfarë ofrojnë dy koalicionet shqiptare VLEN dhe Fronti Evropian në programet e tyre për çështjet gjinore.

Zgjedhjet parlamentare do mbahen me 8 maj së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Barazi gjinoreE Majta – Levica partiaLidhja Social Demokrate (LSDM)VMRO-DPMNEZgjedhje parlamentare RMV 2024ZNAM