Parlamentare 2024: Çfarë ofron Fronti Evropian për të rinjtë?

Na ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut. Derisa partitë vijojnë fushatën e tyre, Portalb.mk ka analizuar programet e tyre për atë se çfarë ofrojnë për të rinjtë. Më poshtë kemi analizuar programin e koalicionit Fronti Evropian.

Programi i plotë dhe në gjuhën shqipe i Frontit Evropian nuk është publik ende. Portalb.mk ka kërkuar programin nga BDI si udhëheqëse e këtij koalicioni, por as nga BDI e as partnerët e koalicionit nuk përgjigjen as në email, as në telefon dhe as në sms porositë.

Megjithatë, në ueb faqen odgovornavlada.mk gjendet një version i shkurtër i programit të Frontit Evropian në gjuhën maqedonase.

Pasi nga BDI nuk na e dërguan programin e plotë, analizuam këtë përmbledhjen e shkurtër.

Në këtë program të shkurtër shihen vetëm disa pika ku përmenden të rinjtë.

Jo Rusisë, po Evropës

Në program thuhet se duhet të miratohen amendamentet kushtetuese për të hapur kapitujt e negociatave për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Kjo ka rëndësi të madhe për stabilitetin, sigurinë, ekonominë, rininë, shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, demokracinë funksionale, qeverisjen e mirë etj. Kështu do të parandalojmë largimin e të rinjve dhe do të kthejmë ata që tashmë kanë ikur”, thuhet në program.

Marrëveshje për konsensus ekonomik

Fronti Evropian zotohet se do të angazhohen për arritjen e një marrëveshje për lonsensus ekonomik ku do të përfshihen edhe të rinjtë.

“Demografia, migrimi dhe diaspora do të jenë në vëmendjen e të gjitha politikave ekonomike dhe sociale për të krijuar perspektiva të reja. Marrëveshja e konsensusit ekonomik do ta bëjë Maqedoninë e Veriut një vend të dëshirueshëm për të jetuar qytetarët tanë, për të mbajtur të rinjtë në vend dhe për të kthyer diasporën, një vend tërheqës për turistët dhe një vend të preferuar për investitorët”, thuhet në program.

Rini aktive

Fronti Evropian zotohet se rinia aktive do të krijojë një mjedis tërheqës në vendin tonë me diversitet kulturor, mundësi të reja për të rinjtë, sport e rekreacion, si dhe aktivizim qytetar në të gjitha fushat e jetës.

Ata zotohen edhe për këta pika:

  • Pjesëmarrja në vendimmarrje,
  • Nxitja e sipërmarrjes te të rinjtë,
  • Garancia për të rinjtë,
  • Platformë digjitale për të rinjtë.

Kthimi i të rinjve në vendlindje

Mes tjerash ata premtojnë edhe politikë për të ngadalësuar migrimin dhe krijimin e mundësive për t’u kthyer në atdhe/vend me një përkushtim të veçantë ndaj të rinjve.

Portalb.mk deri tani ka publikuar edhe programet e VLEN, LSDM-së VMRO-së, Të Majtës (Levica) dhe ZNAM se çfarë përmban për të rinjtë, ndërsa ditëve në vijim do të publikojmë edhe programet e partive tjera politike dhe atë se çfarë ofrojnë për të rinjtë.

Kujtojmë që zgjedhjet parlamentare do mbahen me 8 maj së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Fronti EvropianTë rinj - Rini - RiniaZgjedhje parlamentare RMV 2024