Fronti Evropian në këto zgjedhje parlamentare garon pa program zgjedhor në formë digjitale

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, partitë politike në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë me fushatat e tyre, duke prezantuar programet e koalicioneve që janë potencialisht edhe programe të Qeverisë së ardhshme në vend. Përderisa gjitha partitë i kanë bërë publike programet e tyre në bazë të së cilës duhet të vendosë votuesi, programi parlamentar nga Fronti Evropian është vënë re vetëm një herë dhe atë në dorën e ministrit të financave Fatmir Besimi gjatë prezantimit. Programi nuk ekziston në në formë digjitale, transmeton Portalb.mk.

Më datë 19 prill 2024, ministri i financave Fatmir Besimi prezantoi të njëjtin në Shkup, thuhet në faqen zyrtare të Bashkimit Demokratik për Integrim, një përmbledhje e shkurtër tjetër në gjuhën maqedonase mund të gjendet te faqja https://odgovornavlada.mk/, megjithatë programi i plotë të tërësi mungon, apo është vërejtur vetëm te dora e ministrit.

Redaksia e Portalb.mk, që nga fillimi i fushatës thuajse çdo ditë nëpërmjet kontakteve ka kërkuar nga Fronti Evropian të siguroj një kopje nga programi parlamentar “Europa 2030”, ngase i njëjti përdoret nga media jonë që të informoj në mënyrë të barabartë elektoratin i cili duhet të sheh se çka ofron në fakt ky koalicion.

As Fatmir Besimi, i cili e prezantoi programin, nuk ndjen përgjegjësi që së paku nëse jo redaksisë tonë, votuesve të t’ua zbulojë programin me të cilin garojnë në këto zgjedhje.

Heshtje ka dhe në Aleancën e Ziadin Selës, dhe partnerëve tjerë të koalicionit.

Portalb.mk, edhe sot gjatë deklaratës për shtyp, e pyeti ish kandidatin presidencial, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, dhe i njëjti deklaroi se programin e ka hasur të shtypur nëpër shtabet vendore.

Madje, ai tha se do të na sigurojë këtë program, gjë që, nuk ka ndodhur.

“Programi zgjedhor i Frontit Evropian është një prej programeve voluminoze, programeve më përmbajtjesore, të punuara me një numër të madh të ekspertëve dhe grupeve të ndryshme interesi në një proces transparent. E dini se kemi kaluar në dy faza, fillimisht fazën e dëgjimit pastaj fazën e prezantimit të prioriteteve. Unë dje në çdo shtab vendor që kam kaluar e kanë pasur të printuar para meje, ashtu që do ua sigurojmë pas pres konferencës”, tha Osmani.

As Osmani e askush nga ekipi i tij nuk na ka siguruar programin, andaj shtrohet pyetja “Pse Fronti Evropian e fsheh programin?”

Kryeredaktorja e Portalb.mk, Elida Zylbeari në një prononcim në TV21, në ditën e mbajtjes së rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale tha se partitë politike me qëllim i fshijnë programet e tyre zgjedhore nga prania digjitale që më pas, mediat dhe populli të mos mund të kërkojë llogari nga to për mospërmbushjen e premtimeve që i shkruajnë nëpër programe.

“Se një koalicion do të bëjë fushatë në mënyrë kaq jo-transparente, kjo është gjë e re, madje edhe për BDI-në, është nivel i ri i papërgjegjësisë” shprehet Zylbeari.

Partitë në Maqedoni marrin paratë e qytetarëve. Sipas Ligjit për financimin e partive politike në Maqedoninë e Veriut, mjetet për financimin e partive politike, në shumë prej 30% që sigurohen nga Buxheti i RMV-së, edhe shpërndahen në mënyrë të barabartë te të gjitha partitë politike që kanë fituar më së paku 1% nga numri i përgjithshëm i votave nga zgjedhjet e fundit parlamentare ose lokale. Sipas Nenit 9, mjetet që marrin partitë politike mund të shfrytëzohen nga to “për arritjen e qëllimeve të përcaktuara me ligj, statut dhe akte të tjera të partisë.”

“Së paku paratë tona që i marrin nga buxheti, t’i kishin shfrytëzuar për të digjitalizuar programin zgjedhor” thotë  Zylbeari.

Kujtojmë që zgjedhjet parlamentare do mbahen me 8 maj së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)Bashkimi Evropian (BE)Bujar OsmaniFatmir BesimiFronti EvropianZgjedhje parlamentare RMV 2024Zgjedhje presidenciale RMV 2024