Osmani, Kasami dhe Alternativa dënuan sulmin ndaj spitalit në Gaza

Dënim për sulmin në spitalin e Gazës në mëngjesin e sotëm ka ardhur nga ministri i Jashtëm Bujar Osmani, si dhe nga disa parti opozitare shqiptare. Osmani ka thënë në Facebook se autorët e këtij akti duhet të identifikohen qartë dhe të mbajnë përgjegjësi, transmeton Portalb.mk.

“Sulmi në spitalin dhe shkollën në Gaza që si pasojë la qindra viktima civilë është akt jo human i terrorit për të cilin nuk ka asnjë justifikim. Respektimi i të drejtës ndërkombëtare dhe humanitare është prioritet dhe civilët duhet të mbrohen plotësisht me çdo kusht. Autorët e këtij akti duhet të identifikohen qartë dhe të mbajnë përgjegjësi”, ka thënë shefi i diplomacisë maqedonase përmes profilit të tij në Facebook.

Lideri i Lëvizjes Besa dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, dënoi sulmin e Izraelit ndaj një spitali në Rripin e Gazës, duke e vlerësuar si gjenocid. Kasami bëri thirrje për hetim ndërkombëtar.

“Krim, sulmi mbi një spital në Gaza nga shteti Izraelit ku la të vdekur mbi 500 persona, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar. Dënojmë dhe kërkojmë hetim ndërkombëtar me urgjencë, sepse ky është një gjenocid i pastër!”, ka shkruar Kasami në Facebook.

Edhe Alternativa, pjesë e opozitës shqiptare që përfshin Besën dhe Lëvizjen Demokratike, dënoi sulmin ndaj spitalit dhe i kërkoi botës së civilizuar të “ndalojë veprimet hakmarrëse të Izraelit në të cilat vriten civilë”.

Zyrtarët palestinezë thanë se një sulm ajror izraelit goditi spitalin dhe ministri i shëndetësisë i Autoritetit Palestinez fajësoi Izraelin për masakrën. Izraeli, ndërkohë, fajësoi shpërthimin në spitalin Al-Ahli al-Arabi për një lëshim të dështuar të raketës nga grupi Palestinez Xhihadi Islamik, i cili ka mohuar përgjegjësinë.

Shefi i mbrojtjes civile të Gazës tha se numri i të vdekurve ishte 300, ndërsa burimet e ministrisë së shëndetësisë e thanë se numri ishte 500.

AlternAtivA (AAA)Bilall KasamiBujar OsmaniGazaIzraeliPalestina