Sopranoja Marigona Qerkezi për Portalb.mk tha se është privilegj ta ndanë skenën me tenorin botëror fantastik Saimir Pirgun dhe me dirigjenten e shkëlqyer Elda Laro në zemër të Prishtinës.
“Është një privilegj i vërtetë të ndaj skenën me tenorin botëror fantastik Saimir Pirgun dhe me dirigjenten e shkëlqyer Elda Laro në zemër të Prishtinës dhe të performoj për herë të parë me Operën e Kosovës. Si një kosovare krenare, është një përvojë e paharrueshme të rikthehem të këndoj në vendlindjen time përkrah artistëve kaq të nderuar. Jam veçanërisht e nderuar që performova me yllin tonë Saimirin, një artist që e admiroj shumë. Programi ynë përfshiu perla të repertorit operistik botëror si dhe Shqiptar, i cili zë një vend të veçantë në zemrën time dhe kremton trashëgiminë tonë kulturore”, tha Qerkezi.
Kjo mbrëmje ishte një rast i veçantë për adhuruesit e artit dhe për ata që dëshirojnë të përjetojnë emocione që vetëm muzika klasike mund t’i japë.
Saimir Pirgu ka interpretuar në teatro prestigjioze si La Scala, Metropolitan Opera, Royal Opera House në Londër, Wiener Staatsoper, Opera de Paris, dhe Arena di Verona.
Ndër rolet më të rëndësishme të tij janë Alfredo në “La Traviata” apo Lensky në “”Eugene Onegin””, deri te performancat madhështore në teatro si La Scala, Metropolitan Opera dhe Royal Opera House.