Një profesor në Universitetin Goce Dellçev në Shtip është arrestuar me dyshimin se ka kërkuar dhe marrë ryshfet nga një student për ta mundësuar kalimin e një provimi. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), 39-vjeçarja banore e Shtipit T. A. më 22 të këtij muaji i kërkoi një studenti 300 euro për të kaluar një provim që duhej ta jepte dje, transmeton Portalb.mk.
“Dje në orën 11:45 në Shtip, zyrtarët e policisë nga Sektori i Punëve të Brendshme Shtip e privuan nga liria T. A., një banore 39-vjeçare e Shtipit, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se ajo kishte kryer veprën penale ‘marrje ryshfeti’. Paraprakisht, më 22.06.2026, K. B., 26 vjeç nga Turqia, me qëndrim të përkohshëm në Shtip, student në Universitetin ‘Goce Dellçev’, ka raportuar se A. T. i kishte kërkuar 300 euro për të kaluar një provim që në mënyrë shtesë do ta jepte 29.06.2026”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
MPB-ja tha se janë marrë masa në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike të Shtipit dhe K. B.-së i janë dorëzuar tre kartëmonedha të përpunuara në mënyrë krim-teknike nga 100 euro.
Profesorja, shtoi MPB-ja, është ndaluar menjëherë pas marrjes së parave. Ajo është ndaluar në stacionin policor dhe paratë janë konfiskuar.
Pasi çështja të dokumentohet plotësisht, ndaj saj do të ngrihen akuza përkatëse.