Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit Aleksandar Nikoloski thotë se Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore do të marrë fonde me kushtet më të volitshme nga pesë banka vendase për të përfunduar ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër pas ndërprerjes së financimit nga Banka Kineze Exim. Ministri tha se u vendos që punimet të vazhdohen për shumë arsye dhe sipas tij autostrada do të përfundojë në fund të vitit. 175 milionë euro mjete shtesë janë siguruar për vazhdimin e punimeve, transmeton Portalb.mk.
“Ne ishim para një zgjidhje nëse duhet të ndërpritet projekti sepse nuk ka logjikë të ketë një realizues nga ana e tyre nëse ata nuk e sigurojnë financimin por këtë rast shumë gjate po pritet për autostradën duhej që sërish të presim tender të ri kompani realizuese ndërsa qëllimi ynë është që deri në fund të vitit ta përfundojmë dhe vendosëm të vazhdojmë. Sa i takon financimit ne nuk rrimë pa pasur një plan B, ne e kishim planin B dhe mjetet janë siguruar nga bankat vendase”, tha Nikollovski.
Nikolloski foli edhe për autostradën Prilep-Manastir e cila duhet të përfundojë në vitin 2029.
“Atë që e morra si premtim se punimet e autostradës Prilep-Manastir punët shkojnë shkëlqyeshëm atë që e morra si premtim nga kompania realizuese është se pranverën e ardhshme do të hapen kilometrat e para nga Prilepi në Manastir ndërsa para afatit edhe të përfundojë tërësisht afati është viti 2029, ndërsa më premtuan se në pranvere te 2029 do të përfundohet tërësisht”, deklaroi Nikolloski.
Në shkurt të këtij viti, u njoftua se autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë me një shumë të re prej 186 milionë eurosh dhe një afat deri në qershor të vitit të ardhshëm. Në mars, drejtori i NPRRSh-së, Koce Trajanovski, nënshkroi aneks të ri, të tetë, të marrëveshjes midis NPRRSh-së dhe Sinohodron kineze, ndërsa paratë janë të destinuara posaçërisht për stabilizimin e rrëshqitjeve të dheut duke ndërtuar 14 galeri. Këto fonde, sipas njoftimit të sotëm, duket se janë siguruar në formën e kredive nga bankat vendase. Autostrada është e gjatë 57 kilometra, nga të cilat deri më tani janë hapur rreth 40 kilometra.
Autostrada ka qenë në ndërtim e sipër për më shumë se 12 vjet, dhe projekti u nis nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili tani është i dënuar me burg dhe gëzon azil në Hungari. Rasti i financimit të autostradës përmes një kredie nga Banka kineze Eksim ishte një nga rastet e Prokurorisë Speciale Publike, i quajtur “Trajektorja”. Ndër të pandehurit, përveç Gruevskit, ishin ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, si dhe ish-drejtori i NPRRSh-së, Ljupço Georgievski. Akuzat kundër tyre në këtë rast u vjetërsuan pas ndryshimeve në Kodin Penal të miratuara nga qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Akuzat ishin se në këtë rast buxheti i shtetit ishte dëmtuar me 155 milionë euro. Më parë, për vite me radhë, çështja ishte zvarritur nëpër labirintet gjyqësore.