Nga 23 deri më 26 korrik do të mbahet Festivali “Çarshia”, me muzikë klasike, opera dhe artistë ndërkombëtarë

Nga 23 deri më 26 korrik, në hapsirat e Suli Anit dhe Kurshumli Anit në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, do të mbahet për herë të parë Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia”. Gjatë katër netëve, publiku do të mund të ndjekë koncerte të muzikës klasike, muzikës kamertale, gala operistike, interpretime të muzikës shqiptare, si dhe performanca nga artistë vendas dhe ndërkombëtarë. Në festival do të marrin pjesë artistë të njohur vendas dhe ndërkombëtarë, si Inva Mula dhe soprano Dëshira Ahmeti, shkruan Portalb.mk.

Programi përfshin koncerte të muzikës klasike, muzikës kamertale, mbrëmje operistike, performanca orkestrale dhe interpretime të muzikës shqiptare. Do të prezantohen edhe flamengo dhe vallet latine, ndërsa pjesë e programit do të jenë artistë shqiptarë, maqedonas, turq dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera nga Maqedonia e Veriut.

Anëtari i Këshillit të Komunës së Çairit, Ariton Rama, në një deklaratë për Portalb.mk, tha se ideja e festivalit është e lidhur drejtpërdrejt me rikthimin e dinjitetit dhe integritetit kulturor të Çarshisë së Vjetër.

“Koncepti dhe ideja e festivalit ka të bëjë me ngritjen, përkatësisht rikthimin e dinjitetit dhe integritetit që e ka vetë Çarshia. Ajo është një lokalitet me vlera të veçanta arkitekturore, i cili përveç aspektit turistik dhe tregtar, mbart edhe një trashëgimi të pasur kulturore me rëndësi ndërkombëtare. Festivali synon të ndërtojë ura komunikimi dhe bashkëpunimi mes kulturave. Pjesëmarrja e artistëve me performanca të nivelit ndërkombëtar i jep një vlerë të shtuar Çarshisë, rrit kredibilitetin e saj dhe e rikthen atë si një destinacion të rëndësishëm kulturor në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se lokalitete të ngjashme historike në shumë vende të botës janë nikoqire të festivaleve të mëdha ndërkombëtare, ndërsa Çarshisë së Vjetër deri më tani i ka munguar një ngjarje e këtij niveli organizativ.

Krahas koncerteve, festivali do të përfshijë edhe programe dokumentare dhe përmbajtje që synojnë promovimin e trashëgimisë historike dhe kulturore të Çarshisë. Në skenë do të paraqiten orkestra nga Maqedonia e Veriut dhe ansamble ndërkombëtare, duke krijuar një platformë ku ndërthuren tradita, historia dhe arti bashkëkohor.

Sipas organizatorëve, ambicia është që Festivali “Çarshia” të mos mbetet vetëm një ngjarje e këtij viti, por të shndërrohet në një traditë të përvitshme dhe në një nga manifestimet më të rëndësishme kulturore në vend dhe në rajon.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “Çarshia”, i cili mbahet nën patronatin e Komunës së Çairit, synon të shndërrohet në një traditë të përvitshme dhe në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend dhe rajon. Përmes tij, Çarshia e Vjetër pritet të afirmohet edhe më shumë si një hapësirë ku ndërthuren arti, trashëgimia dhe dialogu ndërkulturor.

Festival muzikorKomuna e ÇairitKultura shqiptareKulturë lajme