Nesër, më 11 dhjetor, me fillim nga ora 13:00, në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), Amfiteatri 4 (LH4), do të mbahet promovimi i librit “Postieri dashnisë” nga autori Elhaid Cufi, raporton Portalb.mk.
Drejtoresha e Bibliotekës “Max van der stoel”, Elmedina Abulahi për Portalb.mk tha se ky aktivitet ka për qëllim jo vetëm promovimin e librit, por edhe dialogun mes autorit dhe publikut.
“Në këtë aktivitet do të kemi kënaqësinë dhe privilegjin të mirëpresim autorin Elhaid Cufi, një emër i njohur për publikun, autor i katër librave, i cili ka fituar zemrat e lexuesve, veçanërisht të rinjve. Shkrimet e tij pasqyrojnë emocionet, dritëhijet e jetës dhe dimensionin e brendshëm të njeriut, duke i bërë lexuesit të ndihen të kuptuar dhe të lidhur me historitë që ai tregon. Ky aktivitet do të ketë për qëllim jo vetëm promovimin e librit, por edhe dialogun mes autorit dhe publikut, përmes fjalës, emocioneve dhe reflektimeve artistike”, tha Abdulahi.
Gjatë ngjarjes, poetja Sadije Aliti do të ndajë reflektim letrar dhe interpretim artistik mbi veprën e autorit.
Aktiviteti gjithashtu do të përfshijë interpretime artistike, poezitë e autorit do të recitohen nga aktori dhe regjisori Elmir Sejfullahu, duke i dhënë fjalës dimension të gjallë dhe emocional.
Në fund, autori Elhaid Cufi do të ndajë me publikun sfidat dhe udhëtimin krijues që qëndron pas librit “Postieri dashnisë”, dhe do të hapë hapësirë për pyetje, reflektime dhe diskutim me të pranishmit.