Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë regjistruar gjithsej 27 zjarre, nga të cilat një është ende aktiv, dy janë nën kontroll dhe 24 janë shuar, njoftoi këtë mëngjes Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), transmeton Portalb.mk.
Sipas QMK-së, zjarri pranë fshatit Dolgaec, në Komunën e Dollnenit, ku po digjet një pyll i përzier, është aktiv.
Zjarri në zonën shumëfunksionale “Jasen”, në Komunën e Makedonski Brodit, të cilin ekipet e zjarrfikësve e kanë shuar për më shumë se dhjetë ditë, si dhe zjarri në malin Kozhuf, në territorin e Komunës së Gjevgjelisë, janë vënë nën kontroll.
Në 24 orët e fundit, siç raportoi QMK, janë shuar 24 zjarre të hapura në zonat e komunave të Shkupit Shuto Orizarë, Gjorçe Petrov, Butel, Saraj, Studeniçan, si dhe në territoret e komunave Prilep, Krushevë, Radovish, Vasilevë, Bosilovë, Strugë, Veles, Zërnovc, Çeshinovë-Obleshevë, Kumanovë, Likovë, Tetovë dhe Zhelinë.
Në këto vende, sipas informacioneve, janë prekur bar i thatë, deponi, mbeturina dhe kashtë.
Në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Në seancën e 7 gushtit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për 30 ditë. Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).